U vra dhe u hodh në pus për një borxh 500 euro, flet bashkëshortja e 31-vjeçarit shqiptar: Denaldo ishte...

Një borxh prej rreth 500 eurosh, që dyshohet se lidhej me lëndët narkotike, mund të ketë qenë shkaku i vrasjes së Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u zbulua në një pus në zonën e Longianos, në provincën e Çezenës, Itali.
Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja nga hetimet për ngjarjen e rëndë, ndërsa një 29-vjeçar italian është ndaluar si i dyshuar për vrasjen dhe fshehjen e trupit të viktimës.
Gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet, i riu mësohet të ketë pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar shkurt: “Isha unë”.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, mes shqiptarit dhe 29-vjeçarit dyshohet se ka shpërthyer një konflikt për një shumë parash, që lidhej me furnizimin me drogë. Debati më pas ka përshkallëzuar në dhunë, duke përfunduar me vdekjen e Maxhallakut.
Megjithatë, motivi i saktë dhe të gjitha rrethanat e krimit mbeten objekt i hetimeve të autoriteteve italiane.
Ndërkohë, mes dhimbjes për humbjen e bashkëshortit, gruaja e 31-vjeçarit ka rrëfyer momentet e fundit përpara zhdukjes së tij.
Denaldo Maxhallaku ishte larguar nga banesa më 8 tetor, pasi i kishte thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal dhe se do të kthehej gjatë mbrëmjes. Por ai nuk u kthye më në shtëpi.
Në një dëshmi prekëse, bashkëshortja e viktimës e ka përshkruar Denaldon si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe punës.
“Ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte shumë vajzën tonë vetëm një vjeçe. Ishte një punëtor i jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.
Vrasja e 31-vjeçarit ka lënë pas një familje të shkatërruar nga dhimbja, ndërsa vajza e tij njëvjeçare do të rritet pa praninë e të atit.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, për të verifikuar dëshminë e të dyshuarit dhe për të përcaktuar motivin që çoi në vrasjen e shqiptarit.

