Vrasja e Arlinda Zekajt në Kosovë, pezullohen nga detyra kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e çështjes!

Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Kosovë. Vendimi është marrë këtë të enjte (29 tetor) nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili ka nisur edhe procedurat disiplinore ndaj tyre.
Pezullimi vjen katër ditë pas vrasjes së Zekajt, e cila kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve nga bashkëshorti, prej të cilit ishte ndarë.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se pezullimi i kryeprokurores Vuçetaj u bë me rekomandimin e tij. Ndërsa Arlinda Nallbani Gacaferi ishte prokurorja që ndiqte çështjen e viktimës dhe njëkohësisht koordinatore për rastet e dhunës në familje.
Këshilli Prokurorial ka ngritur një panel hetimor për të shqyrtuar rastin dhe për të hetuar përgjegjësitë disiplinore të dy prokuroreve.
Çfarë ndodhi para vrasjes?
Arlinda Zekaj ishte përballur prej muajsh me kërcënime. Që në dhjetor të vitit të kaluar, ajo kishte njoftuar autoritetet se bashkëshorti, nga i cili ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.
Gjykata kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje, duke i ndaluar bashkëshortit t'i afrohej. Po ashtu, ishte vendosur që kujdestaria e përkohshme e fëmijës së mitur t'i kalonte asaj dhe që Zekaj të kishte të drejtë të qëndronte në banesën e përbashkët.
Megjithatë, problemet kishin vazhduar. Vetëm dy ditë para vrasjes, Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, ku ankohej për trajtimin e çështjes dhe moszbatimin e vendimit të gjykatës.
Më 25 tetor, ditën kur u vra, ajo kishte bërë një tjetër denoncim për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj u ndalua për 48 orë, ndërsa Zekaj këmbënguli të kthehej në banesën e përbashkët, ashtu siç ia njihte të drejtën vendimi gjyqësor.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në banesë mund t'i rrezikonte jetën. Për këtë arsye, e kishte këshilluar të qëndronte te vëllezërit dhe kthimi të bëhej me shoqërim policor.
Edhe vetë Zekaj kishte pranuar se nuk ndihej plotësisht e sigurt, pasi në banesë ndodheshin familjarët e bashkëshortit. Megjithatë, ajo kishte këmbëngulur të kthehej në shtëpinë e saj.
Pak minuta pasi policia e shoqëroi në banesë, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.
I dyshuari u largua pas ngjarjes, por u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit. Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e paraburgimit për një muaj.


