Akuza të forta ndaj drejtësisë, Kryemadhi: Institucionet janë vetëm një fasadë, nuk mbrojnë qytetarët

Deputetja Monika Kryemadhi ka ngritur akuza të ashpra ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ndaj Gjykatës së Posaçme, duke denoncuar shkelje të rënda të së drejtës së mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor.
Pas daljes nga ambientet e GJKKO-së, ajo u deklarua para mediave se mungesa e avokatit dhe pamundësia për të ushtruar të drejtën elementare të mbrojtjes përbëjnë një precedent të rrezikshëm.
Sipas Kryemadhit, këto veprime arbitrare dhe shkelje proceduriale nga ana e akuzës po krijojnë pasiguri juridike dhe destabilitet serioz në marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve të drejtësisë. Ajo theksoi se mënyra se po zhvillohen hetimet dhe seancat tregon një shmangie të hapur nga standardet ligjore dhe kushtetuese.
Politikanja shtoi se nuk do të tërhiqet nga denoncimi publik i çdo padrejtësie apo abuzimi me pushtetin nga ana e institucioneve të reja të drejtësisë. Ky zhvillim shton tensionet mes figurave politike nën hetim dhe organeve të specializuara, të cilat vazhdojnë procedurat ligjore ndaj tyre.


