“TikTokizimi" i protestave: Çfarë e ka shkaktuar zemërimin e madh publik te të rinjtë e Evropës?

Bota

“TikTokizimi" i protestave: Çfarë e ka shkaktuar

Të rinjtë e Evropës po dalin në rrugë - ata ndihen të përjashtuar nga një e ardhme premtuese

Çfarë e ka shkaktuar këtë zemërim publik kaq të madh tek të rinjtë e Evropës? A janë të gjitha demonstratat, deri diku të ndërthurura? Dhe me zgjedhjet evropiane në horizont, si do të reagojnë qeveritë  - duke dëgjuar shqetësimet e protestuesve, apo duke luajtur kartën e rendit dhe ligjit për të fituar mbështetjen e votuesve më të moshuar?

Nga Parisi, Milano, në Marsejë, Tiranë dhe Madrid, apo edhe në shumë qytete të tjera anembanë Evropës, rrugët kanë shpërthyer në protesta të zjarrta në javët e fundit. 
Ndërsa shumica e protestave filluan në mënyrë paqësore, një numër i madh përfunduan në skena tronditëse dhune dhe plaçkitjeje. Janë ngritur akuza për grupe radikale të krahut të majtë që i kanë shkaktuar trazirat qëllimisht si dhe raportime për dhunën e rëndë që ka ushtruar policia.

Mijëra njerëz protestojnë në Romë dhe Firence. Qindra mijëra, në të gjithë Francën. Në Madrid, një kamp me tenda ka bllokuar sheshin, në qendër të qytetit që prej fundit të shtatorit. Në Lisbonë, dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, marshuan në fillim të këtij muaji. Gaz lotsjellës dhe ujë me presion u përdorën kundër protestuesve në Bruksel, pasi të rinj të veshur me të zeza, me fytyra të mbuluara për të fshehur identitetin e tyre, hodhën gurë dhe fishekzjarre drejt policisë. Në Shqipëri, demonstruesit që janë ngritur kundër korrupsionit qeveritar kërkojnë dorëheqjen e kryeministri Edi Rama - prej 13 vjetësh në pushtet.
Protestat po shpërthejnë njëkohësisht në të gjithë Evropën dhe shumica e demonstruesve - si paqësorë ashtu edhe të dhunshme - janë të rinj. Disa shumë të rinj. Midis të arrestuarve, ka një numër të habitshëm të të miturve. Më shumë se gjysma e të ndaluarve në përleshjet në Barcelonë fundjavën e kaluar ishin nën 18 vjeç. Sipas agjencisë italiane të lajmeve LaPresse, kishte të mitur midis atyre që u arrestuan nga policia në Milano pas përleshjeve.

Qeveritë e Evropës, në pjesën më të madhe, kanë qenë të kujdesshme të bëjnë dallimin midis plaçkitësve dhe protestuesve nga njëra anë, dhe demonstratave të zhurmshme, por paqësore, të organizuara ligjërisht nga ana tjetër. Këto të fundit kanë tendencë të përqendrohen rreth një kauze të caktuar. Në valën aktuale të protestave, pankartat dhe thirrjet e protestuesve  kanë të bëjnë  ankesat për arsimin, pabarazitë sociale dhe koston në rritje të jetesës - megjithëse çdo vend vjen edhe me grupin e vet unik të ankesave.

“TikTokizim" i protestave

Studentët kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Irlandë, Spanjë, Portugali, Itali, Greqi, Serbi dhe Shqipëri – një hapësirë ​​prej më shumë se 1,600 miljesh të kontinentit.

Demonstratat shpesh organizohen në një mënyrë ad hoc nëpërmjet TikTok ose Instagram. Ministri i Brendshëm i Belgjikës për trazirat i etiketikoi zhvillimet e fundit "TikTokizim" i protestave.

Sindikatat studentore luajnë një rol në organizimin e marshimeve, ndërsa ato frymëzohen edhe nga veprimet e bashkëmoshatarëve në vende të tjera, madje edhe në kontinente të tjera. E ashtuquajtura lëvizje studentore "Buburrecat" në Indi - një lëvizje proteste sociale dhe politike e Gjeneratës Z, u shfaq në maj të këtij viti, duke protestuar fillimisht ndaj sistemit arsimor indian.

Franca, ku vala aktuale e protestave studentore nisi në fund të shtatorit, e nxitur nga studentët dhe kërkesat e tyre për një sistem arsimor më cilësor, është shndërruar në një katalizator të spikatur në Evropë. Në Belgjikën fqinje ekziston një shprehje: sa herë që bie shi në Paris, të paktën shiu shkon deri në Bruksel. Kryeqyteti belg dhe qyteti i Liège kanë shënuar gjithashtu javë të të rinjve që protestojnë.

Nga pikëpamja ekonomike ekziston një ndjenjë ankthi në mbarë kontinentin që ndihet nga një numër i madh i të rinjve - dhe kjo shkon përtej arsimit. Ata shqetësohen për mjedisin dhe kanë frikë se inteligjenca artificiale do t'u heqë mundësitë e punësimit. Ata kanë frikë se kostoja në rritje e jetesës mund t'i pengojë ata të përfundojnë arsimin  dhe t'i ndalojë të blejnë ose të marrin me qira një shtëpi mjaftueshëm të madhe për të krijuar një familje.

Në Madrid dhe në Lisbonë, zhgënjimi është përqendruar në çmimet tepër të larta të strehimit. Fushatat portugeze të përhapura në Instagram me thirrjet "mjaft më" kërkojnë solidarizim që njerëzit të dalin në rrugë, ashtu siç kishin bërë bashkëmoshatarët e tyre në Spanjë.
Në Lisbonë, Carolina Cruz, 26 vjeçe, studente doktorature dhe studiuese biologjie, tha se përballet me humbjen e shtëpisë ndërsa kontrata e saj e qirasë po i afrohet skadimit. "Unë jam personi i parë në familjen time që kam hyrë në një program doktorature dhe edhe me të gjitha studimet që kam bërë, ende nuk ia kam dalë", i tha ajo Reuters.

Është një zemërim që ndahet edhe nga 22-vjeçari Riccardo, një protestues në Milano. "Edhe nëse nuk arrijmë ta çojmë vendin në kaos si në Francë ose të bllokojmë çdo rrugë si në Spanjë, qëllimi është që të paktën njerëzit të fillojnë të flasin përsëri për këto çështje", i tha ai AFP-së.

Dhe sigurisht që nuk janë vetëm të rinjtë me bindje të majta që janë të zemëruar. Në lançimin e fushatës presidenciale të nacionalistes franceze Marine Le Pen fundjavën e kaluar, mbështetësit e rinj përshkruanin shqetësime të ndryshme. Duke e quajtur veten "shumica e heshtur" - që (ende) nuk kanë dalë në demonstratë - ata thonë se shqetësohen thellësisht edhe për "imigracionin e pakontrolluar" dhe sigurinë në rrugët e Francës, si dhe për koston e jetesës.

Shpërthimi i pakënaqësisë është përhapur përtej të rinjve, duke përfshirë sindikatat, lëvizjen e ndryshme franceze “Jelekverdhë” që protestoi kundër krizës së kostos së jetesës gjatë mandatit të parë të Macron, dhe nisma të tjera qytetare. Këtë fundjavë, Kent në bregdetin jugor të Anglisë u përball me dy protesta, një pro dhe një kundër imigracionit.

Protesta të "larmishme"

Mark Leonard, drejtori i Këshillit Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë, flet për një grumbullim krizash të njëpasnjëshme dhe konkurruese në Evropë, asnjëra prej të cilave nuk është zgjidhur kurrë siç duhet, thotë ai. Kjo ndjenjë zemërimi e ngulitur tani po shpërthen në rrugë.

“Një krizë shtresohet mbi tjetrën," thelson ai. "Kriza financiare e viteve 2007-2008, kriza e emigrantëve e vitit 2015, kriza mjedisore, Covid, inflacioni pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe tani përsëri me luftën në Gjirin Persik."

Leonard thotë se nga këto kriza kanë dalë probleme të ndryshme. Konsumi i mediave sociale dhe algoritmet i forcojnë perspektivat e tyre të ndryshme, duke çuar në një ndjenjë të vërtetë polarizimi në Evropë. “E kemi parë tashmë këtë në SHBA”, thotë Leonard. “Një ndjesi e 'krizës sime është më e rëndësishme se e krizës tënde'”.

Nathalie Tocci, një ish-këshilltare e qeverisë italiane, e cila tani është profesoreshë e politikës në Universitetin Johns Hopkins, thotë se nuk duhet të habitemi kaq shumë nga protestat apo nga angazhimi i të rinjve në to.

"Ne kemi tendencë t'i mendojmë të rinjtë si të painteresuar politikisht. Mendojmë se ata nuk shqetësohen të dalin për të votuar etj., por ata janë vërtet të angazhuar", thekson ajo, "vetëm në një mënyrë tjetër, më të bazuar në komunitet. Mendoni për, "Të Premteve, për të Ardhmen" [lëvizjen mjedisore] në të gjithë Evropën disa vjet më parë, ose demonstratat kundër veprimeve të Izraelit në Gaza pas 7 tetorit."

Ajo përmend lëvizjen protestuese të udhëhequr nga studentët në Serbi, e cila së fundmi mundi liderin e hershëm Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet parlamentare. "Është diçka e veçantë. Ata vazhduan e vazhduan, për më shumë se dy vjet. Çfarë fuqie ngjitëse do të kenë këto demonstrata të reja evropiane në rrugë? Kjo mbetet për t’u parë."

Plaçkitjet dhe dhuna

Shërbimet e inteligjencës në Francë dhe Belgjikë i kanë përshkruar plaçkitjet në kufijtë e protestave të miratuara ligjërisht si kryesisht oportuniste.

Trazirat sipas hetuesve janë një përzierje e "dhunës së pamenduar" - e identifikuar gjithashtu nga autoritetet spanjolle në Barcelonë për të përshkruar përplasjet e fundjavës - plus kaosit të orkestruar qëllimisht nga të rinjtë e grupeve radikale ultra të majta. E thënë ndryshe, vala i bën të rinjtë të shkatërrojnë çdo objekt që u del para pa pasur ndonjë plan për të shkatërruar dhe pa arsyetuar për dëmin që shkaktohet. Në çdo situatë kaosi, hajdutët të cilët nuk mbeten “pa punë” edhe kur policia është e fokusuar për të parandaluar vjedhjet, gjendet të parët aty. Edhe në Shqipëri ka ndodhur e njëjta. E ndërsa shumë nga të rinjtë protestonin ata nxiteshin nga hajdutë me qëllim për të vjedhur sende me vlerë. 

Tocci kujton se, në Itali, mund ta dëgjosh fjalën "maranza" të përdoret nga disa italianë të mërzitur nga autorët e shkatërrimeve, nisur nga shkatërrimi ose djegia e makinave ose e kazanëve publikë të mbeturinave.

Në Francë, protestuesit përshkruhen si "casseurs" - njerëz që thyejnë gjëra. Por privatisht, disa përdorin një term më të ngarkuar politikisht - "racaille". Ashtu si "maranza" në Itali, është zhargon pejorativ, që përdoret përgjithësisht për të përshkruar të rinj urbanë të pakënaqur dhe të zhurmshëm, shpesh me prejardhje nga familje të klasës punëtore dhe/ose emigrantësh. U përdor në tetor 2005 nga ministri i Brendshëm francez i atëhershëm, Nicolas Sarkozy, për të përshkruar delinkuentë të rinj dhe protestues gjatë një vizite të tensionuar në projektet e strehimit në periferi të Parisit, Argenteuil.

Mediat franceze kanë pyetur nëse ka pasur një aleancë për interes, sado joformale apo e rastësishme, midis dy grupeve të të rinjve: aktivistëve ultra të majtë dhe të rinjve nga lagjet e varfra të Francës. Ashtu si e majta antikapitaliste, të rinjtë nga projektet e strehimit publik në periferi të qyteteve franceze (të njohura si banlieues) shpesh ndihen të diskriminuar dhe ankohen për dhunën e policisë ndaj tyre.

E djathta politike dhe qendra në Francë, përfshirë Macronin, fajësojnë grupet radikale të krahut të majtë dhe "delinkuentët" për planifikimin e trazirave. Në dallim nga Partia e Tubimit Kombëtar të Le Pen, ata nuk kanë përmendur ndonjë lidhje me emigracionin e kaluar ose aktual në Francë.

Kritikët akuzojnë partitë anti-imigracion në Evropë se po përpiqen të përfitojnë nga trazirat për të fituar pikë politike. Në Belgjikë, partia nacionaliste flamande e opozitës anti-imigracion, Vlaams Belang,  fajësoi emigrantët për dhunën në Liège dhe Bruksel, duke i përshkruar trazirat si "të importuara" dhe duke fajësuar dështimin e integrimit dhe të kufijve të hapur. Ministri i Brendshëm i Belgjikës, Bernard Quentin, nga ana tjetër e ka drejtuar gishtin nga grupet ultra të majta.

Çfarë pritet?

Demonstrata të reja masive janë planifikuar gjatë ditëve të ardhshme në Francë dhe në Itali.
Qeveritë po përpiqen të ndalojnë dhunën. Ka pasur mijëra arrestime ndërsa Italia dhe Franca kanë premtuar të zbatojnë një politikë "nëse e prish, paguan për të" për protestuesit.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po i bën gjithashtu prindërit e të miturve përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre, duke i kërcënuat me heqjen e mbështetjes sociale të marrë nga familja. Kodi Civil në Francë tashmë i bën prindërit që jetojnë me fëmijët e tyre përgjegjës për dëmet që ata shkaktojnë.

Por disa nga këto qeveri evropiane mund të mos jenë në pushtet për një kohë të gjatë. Të gjitha vendet e mëdha të BE-së kanë mbajtur, ose do të mbajnë, zgjedhje në muajt në vijim. Votat presidenciale në Francë konsiderohen më të rëndësishmet për Evropën. Le Pen rezulton vazhdimisht shumë përpara rivalëve të saj në sondazhe. Supozohet se trazirat në rrugët franceze po e ndihmojnë atë, falë mesazhit të partisë së saj për ligj dhe rend.

Në Spanjë, Itali, Gjermani dhe Poloni, partitë nacionaliste, të ashpra ndaj imigracionit, po japin gjithashtu rezultate të mira në sondazhe. Këto parti premtojnë të rivendosin rendin dhe krenarinë kombëtare. Leonard beson se partitë populiste ose jo-tradicionale të majta dhe të djathta janë bërë "sipërmarrëse krize", duke përdorur situatën e trazuar në Evropë për të tërhequr votuesit e pakënaqur.

Ndërkohë, rryma kryesore politike e Evropës përballet me një krizë lidershipi, thotë Grégoire

Roos, drejtor i Evropës në grupin e ekspertëve Chatham House.

Do të thoja se ata përballen gjithashtu me një krizë legjitimiteti. Fakti që kaq shumë njerëz - të rinj dhe jo aq të rinj - po protestojnë tregon se ata nuk kanë arritur të kontrollojnë situatën.
Por nuk është aspak e qartë nëse zgjedhjet e reja do ta zgjidhin zhgënjimin publik. Franca është aq e polarizuar, për shembull, saqë nëse Le Pen do të bëhej presidente, shumë parashikojnë se kundërshtarët e saj do të mbushnin rrugët franceze të zemëruar. Evropa moderne është ndërtuar mbi supozimin se qytetarët paguajnë taksat dhe i binden ligjeve. Në këmbim, ata marrin shërbime të mira publike, si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, siguria personale dhe një shoqëri të qëndrueshme që ndjek rregulla dhe rregullore të caktuara.
Por kjo "kontratë shoqërore" është gërryer qartësisht, thotë Roos. Duke parë trazirat në rrugët e Evropës, ky moment proteste duket se ka të ngjarë të vazhdojë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion