U përfundoi mandati, por vijojnë punën, Gjykata Kushtetuese merr sërish ekspertët e ONM-së

Politikë

U përfundoi mandati, por vijojnë punën, Gjykata Kushtetuese merr

Në një lëvizje të papritur dhe të debatueshme, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për të “zgjatuar” mandatin e vëzhguesve ndërkombëtare të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), një strukturë që e ka mbyllur detyrën në Shqipëri, me përfundimin e procesit të Vetingut.

Komisioni Europian, në Progres-Raportin 2026 për Shqipërinë, të prezantuar këtë të Mërkurë (4 nëntor 2026) në Bruksel, shpalli se procesi i Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përfunduar.

“…Procesi i rivlerësimit kalimtar për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët përfundoi plotësisht pas përmbylljes së fazës së ankimit, duke forcuar më tej pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin në sektorin e drejtësisë”, tha Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë prezantimit të Raportit në Bruksel.

Me përfundimin e Vetingut, u mbyll zyrtarisht edhe mandati i ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Por, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e sheh ndryshe këtë histori, duke i “shtyrë” mandatin ekspertëve ndërkombëtar të këtij Misioni.

Gjykata Kushtetuese miratoi, në 2 nëntor 2026, Rregulloren “Për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese gjatë shqyrtimit të çështjeve të juridiksionit të rivlerësimit”, përfshirë edhe një Aneks të Posaçëm.

Në nenin 5 të këtij Aneksi parashikohet roli i vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit si monitorues dhe mbikqyrës në çështjet e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vëzhguesit e ONM-së kanë të drejtën e aksesit në dosjet e Vetingut, të paraqesin gjetje dhe të jenë të pranishëm gjatë fazave të shqyrtimit të çështjeve, përfshirë edhe diskutimet në dhomë këshillimi.

ff9595cf-7df8-422d-88a4-52f724347438-640x8891794001516-6aeed8bcba4c9.webp

Një akses i tillë, pa limit, ndodh për herë të parë në çështjet që shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Madje, kjo Gjykatë u ka dhënë akses vëzhguesve ndërkombëtarë të jenë të pranishëm në diskutimet në Dhomë Këshillimi, ku, është detyrim që të marrin pjesë ekskluzivisht vetëm gjyqtarët.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë unanim. Në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare këtë të Enjte, konstatohet se Aneksi i diskutueshëm është miratuar me vonat e shtatë gjyqtarëve, përfshirë kryetaren Fiona Papajorgji, si edhe anëtarët Sandër Beci, Gent Ibrahimi, Ilir Toska, Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi dhe Marjana Semini. Kundër këtij Aneksi që lejon përfshirjen e ekspertëve me mandat të përfunduar të ONM-së në procedurat e Gjykatës Kushtetuese, ka qenë vetëm gjyqtarja Sonila Bejtja.

“Boldnews.al” pyeti në fillim të javës Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë nëse është në dijeni të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe nëse kanë dhënë dakordësinë për të vijuar pagesën prej rreth 20 mijë euro në muaj për përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët që u përfshinë në procesin e Vetingut.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, përfaqësuesit e BE-së në Shqipëri ende nuk i janë përgjigjur interesimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion