Goditet organizata ndërkombëtare e kokainës, SPAK dërgon në gjyq 16 të pandehur dhe sekuestron miliona euro pasuri

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, organizata ka vepruar gjatë viteve 2019–2021, ndërsa në drejtimin e saj dyshohet se qëndronin shtetasit Ervis Çela dhe Franc Gergely, të cilët koordinonin furnizimin, financimin, transportin dhe shpërndarjen e kokainës në disa vende europiane. Hetimet, të mbështetura edhe në komunikimet e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, kanë evidentuar trafikimin e të paktën 60.7 tonëve kokainë.
Sipas SPAK, droga sigurohej në Bolivi dhe vende të tjera të Amerikës Latine, transportohej drejt Paraguajit dhe më pas fshihej në kontejnerë me produkte të ligjshme industriale për t’u dërguar drejt porteve europiane. Organizata dyshohet se kishte krijuar lidhje me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil, si dhe kontakte në strukturat portuale në Belgjikë, ndërsa përdorte sistemin informal Hawala dhe kode identifikuese “token” për transferimin e parave. Gjatë hetimeve janë dokumentuar disa sekuestrime të mëdha droge në Holandë, Spanjë dhe Gjermani, përfshirë 17 tonë kokainë në Hamburg, në shkurt të vitit 2021.
Në kuadër të hetimit, me kërkesë të SPAK, janë vendosur nën sekuestro preventive pasuri të paluajtshme, biznese, resorte, automjete dhe llogari bankare, në emër të të pandehurve dhe personave të lidhur me ta. Vlera totale e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara përllogaritet në rreth 9.18 milionë euro. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e disa vendeve europiane e të Amerikës së Jugut. SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe gjurmimin e pasurive të dyshuara me origjinë kriminale. Të gjithë personat e pandehur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Njoftimi i SPAK:
SPAK dërgon për gjykim organizatën kriminale të trafikimit ndërkombëtar të kokainës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar më 5.11.2026,në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, në ngarkim të 16 të pandehurve:
– Ervis Çela, Franc Gergely (alias Franc Çopja), Fadil Balla (alias Julian Balla), Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos (alias Petrit Sulejmani), Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Soni Pepa (alias Vilson Pepa) – të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/1 dhe 334 (paragrafi 1) të Kodit Penal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale, parashikuar nga nenet 287/1, germat “a”, “b” dhe 28/1 të Kodit Penal, “Organizata kriminale”, në formën e organizimit, parashikuar nga neni 333, (paragrafi 1) i Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.
– Albin Çela, Elidon Çela dhe Denis Daja – të akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale, parashikuar nga nenet 287/1, gërmat “a”, “b” dhe 28/1 të Kodit Penal; “Organizatë kriminale”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333, paragrafi 2 i Kodit Penal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.
– Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla – të akuzuar për veprat penale të “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 287/1, germat “a”, “b” dhe 25 të Kodit Penal.
– Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim shtetasit Riza Çela dhe Albin Çela edhe për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, e kryer në bashkëpunim për qëllime fitimi, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal.
Struktura dhe veprimtaria e organizatës kriminale
Nga analiza e të dhënave hetimore të administruara në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023, përfshirë komunikimet e përftuara përmes platformave të enkriptuara SkyECC, dhe EncroChat si dhe provat e tjera të administruara gjatë hetimit, paraqesin të dhëna që mbështesin ekzistencën dhe funksionimin e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, të përfshirë në organizimin, koordinimin dhe realizimin e trafikimit të sasive të konsiderueshme të kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt tregjeve europiane.
Organiza përfshin të paktën 16 persona të identifikuar dhe shumë të tjerë, të paidentifikuar. Struktura paraqitet e organizuar në mënyrë vertikale, me marrëdhënie bashkëpunimi dhe lidhje të konsoliduara me grupe dhe organizata kriminale në Paraguaj dhe Brazil dhe ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019-2021. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se dy shtetasit shqiptarë, Franc Gergely, i arrestuar në Belgjikë, dhe Ervis Çela, i arrestuar në Shqipëri në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023, kanë ushtruar funksione bashkëdrejtuese në këtë organizatë kriminale me përmasa ndërkombëtare.Të dhënat e administruara tregojnë se kjo strukturë dispononte kapacitete për të kontrolluar dhe koordinuar hallka të ndryshme të zinxhirit të trafikimit të narkotikëve, duke filluar nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimi dhe transportimi i saj, deri te shpërndarja në disa shtete të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Qarkullimi i përfitimeve financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike realizohej në mënyrë të strukturuar, përmes një rrjeti ndërkombëtar, i cili përdorete mekanizma informalë të transferimit të vlerave monetare, si Hawala dhe mekanizmi i identifikimit me token. Veprimtaria e kësaj strukture shtrihej në disa shtete dhe mbështetej në marrëdhënie bashkëpunimi, kontakte të konsoliduara dhe ndarje funksionale të detyrave mes personave të përfshirë, pjesë e hallkave të zinxhirit të trafikimit. Ajo fokusohej në sigurimin e lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimin e blerjes dhe transportit të saj, organizimin e lëvizjes nga zonat e prodhimit drejt pikave të grumbullimit dhe porteve të nisjes, përgatitjen dhe kamuflimin e ngarkesave në mallra të ligjshme, organizimin e transportit detar drejt Evropës, si dhe koordinimin e pritjes, nxjerrjes nga portet, magazinimin, shpërndarjen dhe shitjen e kokainës në tregjet evropiane. Paralelisht me këto procese rezultojnë të dhëna për përdorimin e mekanizmave të posaçëm për financimin e aktivitetit, administrimin e të ardhurave dhe transferimin e fondeve mesvendeve të ndryshme. Në këtë kuadër përmenden mekanizma të transferimit informal të vlerave, përfshirë sistemin Hawala, si dhe përdorimi i kodeve identifikuese ose token-ëve për koordinimin dhe verifikimin e dorëzimit dhe marrjes së shumave monetare. Shtrirja ndërkombëtare, kohëzgjatja dhe përsëritja e episodeve të trafikimit, së bashku me përdorimin e strukturave të posaçme logjistike dhe financiare, dëshmojnë për një veprimtari të organizuar dhe të vazhdueshme, të mbështetur në bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet personave të përfshirë dhe në një ndarje të qartë të roleve dhe përgjegjësive.Nga analiza e komunikimeve të administruara në platformën e enkriptuar SkyECC, të disponueshme që prej datës 29.11.2019, si dhe e materialeve fotografike të shkëmbyera ndërmjet Ervis Çelës, Franc Gergely-t dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, janë evidentuar të dhëna që lidhen me organizimin dhe realizimin e trafikimit të lëndëve narkotike. Komunikimet, në gjuhën shqipe dhe spanjolle, përmbajnë referenca mbi dërgimin, marrjen, sasitë dhe transportimin e kokainës, përfshirë fshehjen e saj në ngarkesa me produkte të ligjshme që eksportoheshin nga Paraguaj drejt Europës. Gjithashtu, janë identifikuar komunikime dhe materiale fotografike që lidhen me qarkullimin e shumave monetare, përdorimin e sistemit informal të transferimit të parave “Hawala” dhe kodeve identifikuese “token”, si dhe përmes shoqërive tregtare që ushtrojnë aktivitet importi dhe eksporti të produkteve të ligjshme.Në komunikime gjenden referenca për kompanitë, produktet, dërgesat, dokumentacionib tregtar dhe organizimin të transportit. Fotografitë e shkëmbyera tregojnë produkte të ligjshme, të cilat, në kontekstin e bisedave, paraqiten si pjesë e mekanizmit të transportimit dhe kamuflimit të ngarkesave.
Rolet
Nga analiza e komunikimeve dhe e të dhënave të tjera të administruara, Ervis Çela dhe Franc Gergely rezultojnë të kenë pasur funksione me rëndësi të veçantë në organizimin dhe koordinimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.
Ervis Çela merrej me furnizimin në vendet e origjinës, përfshirë kontaktet me furnizuesit në Amerikën Latine, sigurimin dhe financimin e sasive të kokainës, diskutimin e cilësisë dhe çmimeve të saj, organizimin e transportit nga zonat e prodhimit drejt Paraguait, si dhe koordinimin e transportit rrugor dhe ajror me avionë të vegjël nga Bolivia drejt Paraguajit, në bashkëpunim me persona të tjerë të përfshirë. Ervis Çela rezulton gjithashtu i lidhur me procesin e grumbullimit, magazinimit dhe përgatitjes së ngarkesave për eksport, si dhe me ngarkimin e lëndës narkotike në portin e Villetës, Paraguaj.
Franc Gergely merrej kryesisht me financimin dhe koordinimin e fazave të mëtejshme të aktivitetit, duke përfshirë organizimin e transportit ndërkombëtar, sigurimin dhe koordinimin e kompanive porositëse për mallrat e ligjshme që përdoreshin për kamuflimin e kokainës, organizimin e nxjerrjes së ngarkesave nga portet europiane, kryesisht nga porti i Anversës, Belgjikë, si dhe menaxhimin e shitjes së lëndës narkotike në Europë, për llogari të Ervis Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë.
Nga komunikimet e analizuara rezulton se laboratorët e prodhimit të kokainës në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi, referoheshin me termin “kuzhina”. Në këtë fazë të furnizimit, Ervis Çela rezulton të ketë pasur rolin qendror. Komunikimet e tij me Franc Gergelyn evidentojnë bashkërendimin mes dy hallkave, atë të furnizimit dhe më pas të financimit dhe transportit ndërkombëtar. Sipas komunikimeve të administruara, pas sigurimit në vendet e origjinës, kokaina transportohej drejt Paraguait, ku magazinohej dhe përgatitej për eksport. Për këtë qëllim përdorej edhe transporti ajror me avionë të vegjël nga Bolivia drejt zonave rurale të Paraguait. Në komunikime përmenden ngarkesa deri në rreth 500 kg, të cilat pas mbërritjes transferoheshin në kamionë të tonazhit të rëndë, të posaçëm për transportin e lëndës narkotike.
Pas mbërritjes në Paraguaj, kokaina grumbullohej, magazinohej dhe përgatitej për eksport drejt Europës. Nga të dhënat e administruara rezulton se janë përdorur shoqërite tregtare P.T.S.A. dhe E.P.S.R.L., në pronësi të shtetasit D.I.B.C. Përmes kësaj infrastrukture tregtare, lënda narkotike ripaketohej dhe fshihej në ngarkesa që përmbanin produkte të ligjshme si; stuko patinimi, bojëra dhe produkte të tjera industriale. Përdorimi i këtyre shoqërive mundësonte krijimin e një mbulese tregtare për eksportet, duke e integruar transportin e kokainës në qarkullimin e zakonshëm të mallrave ndërkombëtare.
· Kokaina blihej me rreth 4100-4200 dollarë për kilogramë (ky çmim parashikonte edhe transportin deri në Portin e Villetës, Paraguaj).
· Për imbarkimin në anije paguheshin edhe 1300 dollarë për kilogram, në formën e rryshfetit për kalimin e ngarkesës.
Në komunikime përdorej termi “hipja” për t’iu referuar kësaj faze, ndërsa termi “dalja” ishte për nxjerrjen e ngarkesës nga porti evropian i destinacionit. Këto të dhëna evidentojnë ekzistencën e kostove të përcaktuara për faza të ndryshme të transportit, si dhe nevojën për koordinimin e financimit ndërmjet personave të përfshirë në hallkat përkatëse të aktivitetit.Në tërësi, kobinohej transporti lumor dhe ai detar ndërkontinental. Lënda narkotike fshihej brenda ngarkesave të ligjshme tregtare, të vendosura në kontenierë që ndjekin itineraret e zakonshme të eksportit. Pas nisjes nga Porti i Villetës, Paraguaj, ngarkesat transportohen përmes korridorit lumor Paraguaj–Paraná drejt Portit të Buenos Aires, Argjentinë, i cili shërben si pikë tranziti dhe lidhëse mes transportit lumor dhe atij detar. Nga ky port, kontenierët ngarkohen në anije transoqeanike të linjave tregtare ndërkombëtare dhe vijojnë lundrimin drejt porteve europiane. Destinacionet kryesore të identifikuara përfshijnë portet e Hamburgut, Gjermani, Anversës Belgjikë, Barcelonës, Spanjë dhe Rotterdamit, Holandë.Një element me rëndësi në mënyrën e funksionimit të këtij mekanizmi ishte ndryshimi i destinacionit të konteinerëve gjatë lundrimit drejt Europës, me qëllim orientimin e tyre drejt porteve ku ishin krijuar kushtet për të dorëzuar dhe më pas nxjerrë lëndën narkotike.Nga analiza e komunikimeve SkyECC evidentohet një element me rëndësi të veçantë për përcaktimin e rolit të Franc Gergelyt në fazën e mbërritjes së kokainës në Europë. Konkretisht, ai u referohet kontakteve dhe bashkëpunimit me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë portuale në Anversë, Belgjikë, përfshirë persona që operonin skanerin, kryenin shërbime sigurie, etj.
Sipas mënyrës së evidentuar të veprimit, për çdo ngarkesë porositeshin paraprakisht produkte të ligjshme nga kompani të lidhura me personat e përfshirë. Pas nisjes së konteinerëve nga Paraguaj dhe kalimit në portet e tranzitit, ndryshohej destinacioni dhe përcaktohej porti i dorëzimit. Në këtë proces, Franc Gergely paraqitet si person me kontakte dhe kapacitete organizative për të koordinuar nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Anversës. Kjo fazë ishte thelbësore për realizimin e trafikimit, pasi kërkonte bashkëpunimin e transportuesve, personave me informacion mbi lëvizjen e konteinerëve dhe kontakteve në strukturat portuale. Kostoja e nxjerrjes së kokainës përllogaritej në 15% të ngarkesës dhe shlyhej zakonisht në natyrë, përmes dorëzimit të një pjese të saj.
Pas nxjerrjes së kokainës nga portet evropiane, Holanda shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë, nën koordinimin e Franc Gergelyt. Nga komunikimet e administruara rezulton përfshirja e tij në koordinimin e sasive, përcaktimin e çmimeve, organizimin e paketimit dhe transportit drejt vendeve të BE-së, si dhe administrimin e pagesave dhe ndarjen e përfitimeve mes personave të përfshirë. Këto të dhëna tregojnë se roli i tij shtrihej përtej nxjerrjes së kokainës nga portet, duke përfshirë edhe organizimin e shpërndarjes dhe administrimin financiar të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Një element që evidenton organizimin e veprimtarisë kriminale është përdorimi i mekanizmave informalë të transferimit të vlerave monetare, të referuar në komunikime si “Hawala” dhe “token”. Sistemi Hawala mundësonte transferimin e parave përmes shteteve me anë një rrjeti ndërmjetësish, pa përdorur transferta bankare apo transport fizik të tyre, ndërsa “token” shërbente si identifikues për realizimin dhe verifikimin e dorëzimit të shumave. Si pika tranziti ose destinacioni të këtyre transferimeve përmenden Paraguaj, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.Nga komunikimet e analizuara rezulton se marrëdhënia ndërmjet Franc Gergelyt dhe Ervis Çelës karakterizohej nga koordinimi i vazhdueshëm i hallkave të ndryshme të aktivitetit të dyshuar kriminal. Ervis Çela siguronte kokainën në burim dhe organizonte transportin e saj drejt Paraguajit, ndërsa Franc Gergely ishte i përfshirë në financimin e ngarkesave, organizimin e transportit detar, nxjerrjen e tyre nga portet evropiane dhe administrimin e kokainës pas mbërritjes në destinacion.Sigurimi i kokainës dhe përgatitja e ngarkesave për eksport, pa financimin dhe organizimin e transportit e nxjerrjes së tyre në destinacion, nuk mund të realizonin objektivin përfundimtar të aktivitetit. Po kështu, këto faza kërkonin sigurimin paraprak të lëndës narkotike. Për rrjedhojë, të dhënat e administruara mbështesin vlerësimin se Franc Gergely dhe Ervis Çela ushtronin kompetenca vendimmarrëse mbi hallka të ndryshme, por të ndërvarura, duke bashkërenduar veprimet për realizimin e aktivitetit të përbashkët. Ndarja e roleve nuk dëshmon domosdoshmërisht një marrëdhënie hierarkike, por një model bashkëpunimi ku secili vepronte me autonomi funksionale dhe përgjegjësi për hallkën përkatëse.
Nga analiza e të dhënave të administruara, Franc Gergely dhe Ervis Çela rezultojnë si drejtues të nivelit të parë të organizatës kriminale, me role qendrore në koordinimin e trafikut të kokainës. Në këtë nivel drejtues përfshihet edhe Fadil Balla, i cili rezulton të ketë vepruar kryesisht në bashkëpunim me Ervis Çelën dhe persona të tjerë objekt hetimi.Në nivelin e dytë drejtues përfshihen Petrit Lakatos, bashkëpunëtor i afërt dhe krahu i djathtë i Franc Gergelyt, me rol në nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antëerp-it, magazinimin, shpërndarjen me shumicë në Holandë dhe administrimin e të ardhurave, si dhe Mikolvan Mullaj, i cili rezulton të ketë koordinuar aktivitetin operacional nën drejtimin e Ervis Çelës dhe Fadil Ballës. Secili prej tyre kishte bashkëpunëtorë në varësi, të angazhuar në transportin e lëndës narkotike, dorëzimin e saj, grumbullimin e parave dhe dërgimin e ngarkesave drejt destinacioneve të tjera. Këto të dhëna evidentojnë një strukturë të organizuar në disa nivele drejtuese dhe operacionale.
Nga analiza e komunikimeve të enkriptuara në platformat SkyECC dhe EncroChat si dhe nga ndërthurja e tyre me provat e administruara përmes kërkesave për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe informacionit të shkëmbyer me autoritetet e huaja, rezulton se kjo organizatë kriminale ka organizuar dhe kryer trafikimin ndërkombëtar të një sasie jo më pak se 60,7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të ndryshme të Europës, gjatë periudhës 2019–2021.Përmasat e këtij aktiviteti kriminal, shtrirja e tij gjeografike dhe volumi i sasive të trafikuara evidentojnë kapacitete të konsiderueshme organizative, logjistike dhe financiare, si dhe një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar, i cili ka mundësuar sigurimin e lëndës narkotike në vendet e origjinës, transportimin e saj përmes rrugëve ndërkombëtare dhe shpërndarjen në tregjet evropiane.
Në këtë kuadër, nga provat e administruara janë identifikuar disa episode konkrete të sekuestrimit të sasive të konsiderueshme të kokainës, të lidhura me periudhën e veprimtarisë së kësaj organizate, konkretisht:
ü Dhjetor 2019 – Rotterdam, Holandë: sekuestrimi i rreth 255 kg kokainë.
ü Prill 2020 – Barcelona, Spanjë: sekuestrimi i rreth 495 kg kokainë.
ü Maj 2020 – Rotterdam, Holandë: sekuestrimi i rreth 300 kg kokainë.
ü Nëntor 2020 – Holandë: sekuestrimi i rreth 600 kg kokainë.
ü Shkurt 2021 – Hamburg, Gjermani: sekuestrimi i rreth 17 tonëve kokainë.
Në total, këto pesë episode dokumentojnë sekuestrimin e rreth 18.650 kg (18,35 tonë) kokainë.
Bashkëpunëtorët e huaj të Ervis Çelës, Franc Gergely dhe Fadil Ballës
1. Një nga personat me rëndësi në rrjetin e kontakteve të Ervis Çelës është shtetasi uruguaian me inicialet S.E.M.C., i arrestuar në Bolivi në vitin 2023 dhe më pas i ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe Administratës Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA), ai dyshohet se ka drejtuar një organizatë ndërkombëtare të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës dhe të pastrimit të të ardhurave nga kjo veprimtari kriminale.
2. Një tjetër bashkëpunëtor i afërt i Ervis Çelës është shtetasi tjetër uruguaian me inicialiet F.E.S.V., i cili rezulton i përfshirë në skema ndërkombëtare të pastrimit të parave në Paraguaj, në favor të organizatave të trafikut të narkotikëve. Ai ndërmjetësonte transferimin e miliona dollarëve, të përfituar nga trafikimi i drogës në vende të ndryshme të Europës drejt Amerikës së Jugut dhe destinacioneve të tjera. Ky shtetas është arrestuar në Paraguaj në gusht 2023, në kuadër të operacionit antidrogë “A Ultranza PY”, dhe në korrik 2024 u ekstradua drejt SHBA-së.
3. Në rrethin e bashkëpunëtorëve më të afërt të Ervis Çelës rezulton edhe shtetasi paraguajan me inicialet D.I.B.C. Ai është pronar i disa shoqërive tregtare, të cilat dyshohet se janë përdorur për magazinimin, përgatitjen dhe kamuflimin e kokainës në produkte të ligjshme, për transportimin e mëtejshëm me kontejnerë drejt Europës. Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
4. Një tjetër shtetas paraguajan i lidhur me këtë veprimtari është shtetasi me inicialiet A.R.G., aktualisht i arrestuar, i cili, në Paraguaj dhe Brazil,përballet me akuza penale për përfshirje të dyshuar në krimin e organizuar ndërkombëtar. Prokuroria në Paraguaj e akuzon për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrim parash. Ai zotëronte avionë sportivë, të cilët dyshohet u përdorën për transportimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Bolivia drejt Paraguajit.
5. Në këtë rrjet bashkëpunëtorësh përfshihet edhe shtetasi brazilian me inicialiet C.S.L., aktualisht në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet braziliane. Ai rezulton i përfshirë, në bashkëpunim me Ervis Çelën, në organizimin e blerjes, financimit dhe shpërndarjes së ngarkesave me lëndë narkotike, përmes furnizimit të vazhdueshëm me sasi shumëtonëshe kokaine, të prodhuar në laboratorët e rajonit të Andeve.
6. Gjithashtu, shtetasit brazilianë me inicialiet R.P.A. dhe Th.A.D.B. rezultojnë të përfshirë në administrimin e laboratorëve, përcaktimin e parametrave të cilësisë së kokainës dhe identifikimin e ngarkesave përmes markave të stampuara mbi pakot e lëndës narkotike. Një tregues i rëndësishëm i pozitës së Ervis Çelës në këtë marrëdhënie është gatishmëria e furnizuesve për t’i vënë atij dhe bashkëpunëtorëve të tij në dispozicion sasi prej 2.000 deri në 3.000 kilogramësh kokainë pa parapagim, duke e shtyrë shlyerjen e detyrimit financiar për një moment të mëvonshëm.
7. Në vijim të këtyre të dhënave, nga analiza e komunikimeve rezulton se, në disa raste, laboratorët e prodhimit të kokainës hasnin vështirësi në përmbushjen e kërkesave të Ervis Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tij, për shkak të pamundësisë për të prodhuar dhe siguruar sasitë e kërkuara të lëndës narkotike.
Vëllimi i aktivitetit kriminal është shoqëruar me realizimin e përfitimeve financiare jashtëzakonisht të mëdha, potencialisht në vlera që arrijnë në miliarda euro. Për këtë arsye, një aspekt i rëndësishëm i hetimit lidhet edhe me identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e produkteve të mundshme të veprimtarisë kriminale, si dhe me evidentimin e mekanizmave financiarë të përdorur për transferimin, investimin dhe fshehjen e tyre.
Sekuestrimet
Pjesë e rëndësishme e hetimit ka qenë edhe identifikimi dhe sekuestrimi i pasurive që mund të zotëronin të pandehurit e hetuar dhe familjarët e tyre, ë cilat dyshohet se kishin origjinë kriminale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masën e sigurimit ‘sekuestro preventive’ mbi pasuri të subjekteve të hetimit apo edhe personave të lidhur si më poshtë:
1. Subjekti tregtar “Solis FARM”, që ushtron aktivitet në fushën e agroturizmit, akomodimit, hotelerisë dhe shërbimeve bar-restorant, si dhe mbi pasuritë dhe asetet që lidhen me ushtrimin e këtij aktiviteti, konkretisht:
2. 100% e kuotave të operatorit ekonomik “SOLIS FARM”, me adresë ushtrimi aktiviteti në fshatin Mumajes, Njësia Administrative Baldushk, Tiranë (Kodra e Kishës).
3. Pasuria e paluajtshme nr. 128/8, volumi 3, faqe 172, Zona Kadastrale 2736, e ndodhur në Mumajes, Baldushk, Tiranë.
4. Pasuria e paluajtshme nr. 121/8, volumi 3, faqe 172, Zona Kadastrale 2736, e ndodhur në Mumajes, Baldushk, pjesë e operatorit ekonomik “SOLIS FARM”.
5. Godina e shërbimit restorant, së bashku me të gjitha ambientet e saj të brendshme dhe të jashtme, si dhe të gjitha sendet, pajisjet dhe orenditë e ndodhura në këto ambiente.
6. Llogaria bankare pranë Raiffeisen Bank, në emër të shtetases D.Gj., me gjendje monetare prej 71.268,44 euro.
Në emër të shtetasit Albin Çela dhe në bashkëpronësi:
1. Pasuria nr. 348/37, vol. 23, faqe 164, ZK 3321, me status aktiv, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, mbi të cilën janë ndërtuar kapanone industrialë dhe ndërtesa për ushtrimin e aktivitetit tregtar.
2. Pasuria nr. 348/38, vol. 23, faqe 165, ZK 3321, Sharrë, Tiranë.
3. Pasuria nr. 349/47, vol. 12, faqe 5, ZK 3321, në Sharrë,
4. Pasuria nr. 348/29, vol. 15, faqe 33, ZK 3321, Sharrë, Tiranë.
5. Pasuria nr. 348/43, vol. 11, faqe 245, ZK 3321, Sharrë, Tiranë
6. Pasuria nr. 349/45, vol. 12, faqe 3, ZK 3321, në pronësi të Albin Çelës dhe A. Ç, Sharrë, Tiranë.
7. Një vilë e porositur pranë shoqërisë sipërmarrëse “NG STRUCTURES” sh.p.k., për të cilën është faturuar parapagimi.
8. Interesat ekonomikë në shoqërinë “Giam Konstruksion” sh.p.k., me NIPT L73106801V, përfshirë kuotat dhe aksionet e saj, me adresë aktiviteti në Agonas, Kavajë.
Në emër të shtetasit Riza Çela:
1. Pasuria nr. 348/14, vol. 2, faqe 110, ZK 3321, me sipërfaqe 5.900 m², e kategorisë “Arë”.
Vlerësimi financiar i investimeve
Referuar aktit të ekspertimit, rezulton se shtetasit Albin Çela dhe Riza Çela kanë investuar në blerjen e tokave një vlerë që tejkalon 50.000.000.00 lekë, ndërsa kostoja e ndërtimit të katër objekteve të ngritura mbi këto sipërfaqe toke vlerësohet në mbi 1.200.000 euro.
Pasuri të sekuestruara shtetasit Fadil Balla:
1. AJMAN PARK”, resort në Xhafzotaj, Durrës, që përfshin hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente të tjera tregtare, si dhe interesat e lidhura me shoqërinë “AMR”. Referuar aktit të ekspertimit teknik-vlerësues, vlera e investimit në këtë resort arrin në 463.126.800 lekë.
2. Pasuria e llojit vilë dykatëshe, tip “ELYSIAN”, me nr. L1, pjesë e kompleksit turistik “Ionian Olea”, e ndodhur në bregdetin e Dhërmiut, Bashkia Himarë, me sipërfaqe 103 m² në katin përdhe, 110 m² në katin e parë, 18.1 m² ballkone dhe 26.6 m² verandë, si dhe me parcelën në dispozicion të saj, me sipërfaqe totale rreth 378.2 m². Sipas vlerësimit të referuar, pasuria ka një vlerë tregu prej 1,000,000 euro.
Pasuri të sekuestruar shtetasit F.C
1. 100% e kuotave të kapitalit të shoqërisë tregtare “Check Company” Sh.p.k., me seli në Rrugën e Dibrës, Tiranë, si dhe 25 (njëzet e pesë) mjete motorike të regjistruara në pronësi të kësaj shoqërie, me një vlerë totale prej 69,973,223 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e dyqind e njëzet e tre) lekësh, vlerë e cila përfaqëson çmimin fillestar të blerjes së mjeteve motorike, duke zbritur amortizimin e akumuluar deri në momentin e vlerësimit.
Vlera e sekuestrimeve
Është sekuestruar një shumë monetare „në cash“, në vlerën prej 130,000 (njëqind e tridhjetë mijë) eurosh, si dhe automjete dhe sende të tjera me vlerë.
Vlera totale e pasurive dhe e shumave monetare të sekuestruara përllogaritet afërsisht në 9,181,000.00 (9 milionë e 181 mijë euro).
Në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK ka zhvilluar bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol, në kuadër të operacionit “White Eclipse”, si dhe me autoritetet gjyqësore të Holandës, Gjermanisë, Francës, Spanjës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Paraguajit, Ekuadorit, Brazilit dhe vendeve të tjera. Shprehim mirënjohjen për kontributin e tyre në avancimin e hetimeve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të drejtuesve dhe anëtarëve të organizatës kriminale.Gjithashtu, falenderojmë Qeverinë e SHBA-së dhe Zyrën OPDAT pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë për mbështetjen financiare dhe lehtësimin e bashkëpunimit me autoritetet gjyqësore të vendeve të Amerikës së Jugut.Vlerësim I vecantë u shprehet hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Sektorit Financiar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë hetimit.Hetimet vijojnë në kuadër të një procedimi të veçuar, me synim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, dokumentimin e veprave të mundshme penale dhe gjurmimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme që rrjedhin nga veprimtaria kriminale ose lidhen me organizatën.


