U nda nga jeta në moshën 25-vjeçare, miqtë kujtojnë Rinesa Qeriqin: Është një fatkeqësi e madhe, ishte shpirt i pastër

Showbiz

U nda nga jeta në moshën 25-vjeçare, miqtë kujtojnë

Historia e Rinesa Qeriqit, e njohur në muzikë me emrin artistik Rinesans, e cila u nda nga jeta më 23 tetor 2026, në moshën 25-vjeçare, pas një beteje me kancerin, u rikthye në vëmendje në emisionin “Takohemi n’Vizion”.

Të ftuar për të kujtuar Rinesën ishin gazetari dhe miku i saj Erjon Hasani, si dhe këngëtari Endrit Krasniqi, i njohur me emrin artistik Dhjetori, fitues i festivalit të RTK-së. Të dy u lidhën drejtpërdrejt nga Kosova, duke ndarë vlerësimet e tyre për artisten dhe ndikimin që ajo la përmes muzikës.

Dhjetori, megjithëse nuk e kishte njohur personalisht Rinesën, tha se ishte njohur me të përmes krijimtarisë së saj, duke e cilësuar një artiste unike, e cila nuk kishte frikë nga gjykimi dhe eksperimentimi muzikor.

“Përfundimisht Rinesa është një artiste unike që nuk ka pasur frikë nga gjykimet. Ajo kishte stilin e vet dhe dëshironte që përmes artit të tregonte jetën dhe përjetimet e saj”, u shpreh këngëtari. Ai vlerësoi veçanërisht tekstet e saj të drejtpërdrejta dhe origjinalitetin, duke theksuar se artistët e rinj mund të marrin frymëzim nga guximi i saj për të treguar realitetin përmes muzikës.

Nga ana tjetër, gazetari Erjon Hasani, i cili e kishte njohur personalisht, e përshkroi Rinesën si një vajzë me shpirt të pastër dhe kujtoi se ajo ishte shpërngulur në Kanada rreth vitit 2018, ku jetoi deri në fund të jetës. Sipas tij, publiku shqiptar e njohu edhe si “Lea”, përmes videoklipit të këngës me të njëjtin titull të Alban Skënderajt.

“Rinesa ka qenë një shpirt i pastër. Mendoj se nëse nuk do të ishte sëmurur në vitin 2025, ajo do të kishte pasur një karrierë të shkëlqyer”, u shpreh Hasani, duke shtuar se artistja meritonte më shumë vëmendje për muzikën që krijoi.

Ai kujtoi gjithashtu se Rinesa kishte nisur të tërhiqte vëmendjen e publikut edhe përpara se të bëheshin të njohura problemet e saj shëndetësore. Emri i saj artistik, “Rinesans”, që lidhet me idenë e ringjalljes, përcillte sipas tij mesazhe të forta përmes artit dhe teksteve.

Gjatë emisionit u rikujtua edhe rrugëtimi i saj muzikor, i cili mori vëmendje në vitin 2020 me projektin “Trulli”. Ajo bashkëpunoi me emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Tayna, ndërsa publikoi në fund të vitit 2025 albumin “Muzikë mbijetese”, me 12 këngë.

Të dy të ftuarit theksuan se mënyra më e mirë për ta mbajtur gjallë kujtimin e Rinesës është të vazhdohet të dëgjohet muzika e saj dhe të vlerësohet krijimtaria që la pas. Një artiste që, pavarësisht rrugëtimit të shkurtër, guxoi të krijonte jashtë kornizave dhe të shprehte përmes muzikës realitetin e saj.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion