U ekzekutua brenda klinikës në Marbella, arrestohet 18-vjeçari suedez për vrasjen e kirurgut plastik të njohur

Bota

U ekzekutua brenda klinikës në Marbella, arrestohet 18-vjeçari

Një 18-vjeçar suedez është arrestuar në Spanjë, nën dyshimin se është autor i vrasjes së kirurgut plastik Alexander Aslani, 57 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në klinikën e tij në Marbella.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur një person i armatosur hyri në klinikën e mjekut dhe hapi zjarr. Aslani u qëllua disa herë në kokë dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.

Policia spanjolle konfirmoi arrestimin e të dyshuarit me një deklaratë të shkurtër: “Një 18-vjeçar është arrestuar si autori i dyshuar i vrasjes së kryer mbrëmjen e djeshme në Marbella”.

Sipas burimeve të cituara nga mediat spanjolle, autori i dyshuar nuk ka vepruar i vetëm. Hetuesit po kërkojnë edhe një person të dytë, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohej nga vendi i ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake, autori ishte i veshur me të zeza dhe u largua me një motor të drejtuar nga një bashkëpunëtor.

Në momentin e sulmit, në klinikë ndodheshin disa klientë. Bashkëshortja e mjekut, Jeannine, e cila punonte si drejtoreshë e infermierisë në klinikë, ishte gjithashtu aty kur burri i saj u vra.

Policia po heton edhe pistën se vrasja mund të ketë qenë një sulm i planifikuar, i lidhur me një kliente të pakënaqur me rezultatin e një ndërhyrjeje estetike.

Sipas raportimeve, një grua kishte dërguar mesazhe kërcënuese në klinikë një ditë para vrasjes, duke kërkuar rimbursim për trajtimin. Edhe partneri i saj dyshohet se kishte shkuar më herët në klinikë dhe kishte kërcënuar stafin.

Megjithatë, deri tani autoritetet nuk kanë përcaktuar zyrtarisht motivin e vrasjes dhe po hetojnë nëse autori i dyshuar ka vepruar me porosi të dikujt tjetër.

Alexander Aslani ishte një kirurg plastik i trajnuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte punuar më parë si kirurg konsulent në spitale në Londër dhe Birmingham.

Klinika e tij në Marbella ishte e specializuar në ndërhyrjet estetike, përfshirë procedurat BBL, ndërhyrjet e gjoksit dhe procedura të tjera të kirurgjisë plastike.

Aslani ishte i njohur edhe për zhvillimin e të ashtuquajturit “supercharged BBL”, një procedurë që kombinon transferimin e yndyrës në zonën e vitheve me përdorimin e implanteve.

Shoqata Mjekësore e Malagës dënoi vrasjen, duke shprehur shqetësimin për një mjek që humbi jetën ndërsa ishte duke ushtruar profesionin e tij.

Ndërkohë, pacientë dhe persona që e njihnin mjekun kanë shprehur ngushëllimet e tyre, duke e përshkruar atë si një kirurg të kërkuar nga personazhe publike, modele dhe klientë nga vende të ndryshme.

Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e vrasjes dhe për të identifikuar personin e dytë që dyshohet se ka ndihmuar në arratisjen e autorit.

ME TE LEXUARAT