PD kërkon heqjen e identifikimit elektronik në zgjedhje, paraqet raportin në KQZ

Politikë

PD kërkon heqjen e identifikimit elektronik në zgjedhje, paraqet

Mungesa e besimit ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike arriti në pikën që demokratët t’i paraqisnin zyrtarisht kërkesën KQZ-së për moszbatimin e identifikimit elektronik në zgjedhjet e 9 majit.

Si argument për anëtarët e Komisionit Rregullator, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, paraqiti raportin e kryqëzimit të të dhënave të pajisjeve elektronike të identifikimit në zgjedhjet e shkuara, raporton Top Channel.

“Partia Demokratike është kundër identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, dhe i kërkon komisionit të mos e miratojë propozimin për miratimin e identifikimit elektronik. Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raportet zyrtare që kanë hartuar, kanë dëshmuar se nuk parandalohet votimi i dyfishtë dhe i shumëfishtë. Ka raste të raportuara nga vetë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ku i njëjti shtetas kishte votuar me 27 karta të ndryshme, duke përdorur të njëjtën shenjë gishti. PD është kundër përdorimit të pajisjeve të identifikimit elektronik në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027”, thuhet në kërkesë.

Përballë kësaj kërkese, anëtarët e Komisionit Rregullator kërkuan kohë për të marrë një opinion edhe nga nënkomisionerja Lealba Pelinku, e cila ka teknologjinë në zgjedhje në fushën e përgjegjësisë së saj.

Miratimi i këtij akti kërkon katër vota pro nga pesë anëtarët e Komisionit Rregullator, ku, me dy përfaqësues të propozuar nga opozita, kalimi i aktit është i pamundur.

Identifikimi elektronik u zbatua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, si një nga pikat e marrëveshjes së 5 qershorit mes PS-së dhe PD-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim, raporton Top Channel.

Për zbatimin e identifikimit elektronik janë blerë mbi 5 mijë e 200 pajisje, me një kosto të përllogaritur prej rreth 30 milionë eurosh.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion