U akuzua për atentatin e dështuar në Lezhë, Apeli ndryshon masën për Vinçesk Pirolin

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin, një prej tre personave të arrestuar në lidhje me atentatin e dështuar në Lezhë.
Vetëm 38 ditë pas arrestimit, gjykata ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest me burg” me atë të “arrestit në shtëpi”.
Vinçesk Piroli u arrestua më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim kishin planifikuar të kryenin një vrasje në zonën e Lezhës.
Operacioni policor “Detajet” u zhvillua pas informacioneve për lëvizjen e dy personave të armatosur dhe të pajisur me skafandra, të cilët udhëtonin me një motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.
Sipas dyshimeve të hetuesve, dy prej personave do të kryenin atentatin, ndërsa i treti do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pas realizimit të krimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Kristian Ymeri drejtonte motomjetin, ndërsa Vinçesk Piroli ishte pasagjer dhe personi që do të qëllonte ndaj objektivit.
Ndërhyrja e policisë bëri të mundur ndalimin e tre të dyshuarve në aksin Gjadër-Barbullush, ku gjatë kontrolleve u sekuestruan tri pistoleta me krehra dhe fishekë, municion luftarak, si dhe automjeti dhe motomjeti që dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.


