Tragjedi në brigjet italiane, përmbyset gomonia me emigrantë, zhduket vajza 6-vjeçare

Një vajzë vetëm 6 vjeçe rezulton e zhdukur pas mbytjes së një gomoneje me emigrantë në ujërat pranë ishullit italian të Lampeduzës. Rreth 50 persona janë shpëtuar nga Roja Bregdetare italiane, ndërsa vijojnë kërkimet për të miturën.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para se një gomone rreth 7 metra e gjatë të kapej nga autoritetet italiane. Mjeti lundrues, i nisur nga Sfax i Tunizisë, u përmbys duke bërë që të gjithë personat në bord të përfundonin në ujë.
Mes të shpëtuarve janë 50 emigrantë, përfshirë 10 gra dhe 3 të mitur. Ata u nxorën nga deti nga efektivët e motovedetës CP324 të Rojës Bregdetare italiane dhe u dërguan gjatë natës në portin Papa Francesco, në Lampedusa.
Sipas informacioneve paraprake, vajza 6-vjeçare, me origjinë nga Bregu i Fildishtë, është i vetmi person që rezulton i zhdukur nga kjo ngjarje. Të mbijetuarit janë shtetas nga Burkina Faso, Benini, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Gambia, Guinea dhe Mali.
Ngjarja vjen pas disa operacioneve të tjera të shpëtimit dhe zbarkimeve të emigrantëve në ditët e fundit në zonën e Lampeduzës.
Më 16 nëntor u regjistruan katër zbarkime, me gjithsej 67 emigrantë në zonën mes Lampeduzës dhe ishullit Lampione. Mes tyre kishte shtetas tunizianë, eritreas, pakistanezë, sudanezë dhe gambianë. Në operacionet e shpëtimit morën pjesë motovedetat e Rojës Bregdetare italiane dhe agjencia Frontex.
Ndërkohë, më 15 nëntor, autoritetet shpëtuan dy gomone me emigrantë. Në njërën prej tyre ndodheshin 11 persona, mes të cilëve një grua në muajt e fundit të shtatzënisë, e cila kishte hyrë në procesin e lindjes, si dhe një burrë me plagë të rëndë në kokë.
Gruaja u transportua me urgjencë në poliklinikën e Lampeduzës, ndërsa personat e tjerë u dërguan për asistencë mjekësore dhe procedurat përkatëse. Gomonia ishte nisur nga Abu Kammash në Libi.
Në një operacion tjetër, Frontex shpëtoi 41 shtetas iranianë, irakianë dhe jemenas, të cilët udhëtonin me një mjet lundrues 12 metra të gjatë, të nisur nga Zuwarah në Libi. Të gjithë emigrantët e shpëtuar u dërguan në qendrën e pritjes në Lampedusa.
Lampedusa vijon të mbetet një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve në Evropë, ndërsa udhëtimet e rrezikshme përmes Mesdheut vazhdojnë të shoqërohen me aksidente dhe tragjedi njerëzore.


