Tragjedia në Shkozë, djali i çiftit të moshuar: Dhëndri ndezi zjarrin se motra nuk i hapi telefonin

Aktualitet

Tragjedia në Shkozë, djali i çiftit të moshuar:
Djali i Ismete dhe Agim Ziut, çiftit që humbi jetën pasi u dogj brenda shtëpisë në Shkozë të Tiranës, ka folur për ngjarjen e rëndë. 

Në një intervistë për News 24, ai ka treguar se partneri i motrës e ndezi zjarrin në shtëpi pasi ajo nuk i kishte hapur telefonin. Sipas tij, ai kishte spërkatur me benzinë derën e banesës dhe i kishte vendosur zjarrin. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke i shkaktuar të moshuarve djegie të rënda që u morën jetën. Ndërkohë vajza e çiftit shpëtoi pa lëndime, ndërsa djali i saj mori djegie në fytyrë.  

"Ai ka hedhur benzinë tek dera dhe ka ndezur zjarrin. Ishte ora rreth 11 e natës. Në banesë ishte babai, nëna, motra dhe nipi im, i cili është 20 vjeç. Ata po flinin. Motra kishte debatuar dhe i kishte fikur telefonin. Mora dy vite më parë ishte sëmurë. Ai i tha shko tek prindërit sa të bëhesh mirë. Atë natë ajo ishte tek prindërit. Ai e telefononte vazhdimisht, por ajo e kishte mbyllur telefonin dhe ai erdhi i vendosi flakën shtëpisë. Motra është zgjuar dhe ajo më ka telefonuar duke më thënë merr policinë se na kanë vënë zjarrin.  

Policia thanë ka ardhur me vonesë. Motrën e nxorën zjarrfikësit. Ajo është më mirë. Djali ka pësuar djegie në fytyrë por është mirë. Prindërit e mi ishin djegur. Ata kishin kërkuar ndihmë nga dritarja po nuk kishin nga të dilnin.  

Ne i kishim raportet të mira, por ai ishte xheloz dhe pinte shumë. Me motrën është sjellë mirë por për punën e telefonit ishte keq. Ata janë zënë disa herë por janë bashkuar sërish. Ky person ka ardhur dhe disa herë të tjera duke shqetësuar prindërit. Vinte natën duke thënë 'do ju vras' etj. Por nuk e denoncoi njeri. Nuk i morëm seriozisht."- tha ai.   

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion