Vijojnë përplasjet në protestën e opozitës, policia përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion

Aktualitet

Vijojnë përplasjet në protestën e opozitës, policia
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë vijojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku situata është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë protestës kombëtare të opozitës.

Protestuesit kanë hedhur molotovë, fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të autobotëve të policisë, të cilët janë pozicionuar përballë turmës për të penguar avancimin e saj. Hedhja e mjeteve piroteknike dhe bombave molotov ka shoqëruar momentet më të tensionuara të tubimit, duke krijuar një situatë të vështirë në zonën përreth Kryeministrisë.

Në përgjigje të veprimeve të protestuesve, forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe autobotët me ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin në bulevard.

Ndërhyrja e policisë ka bërë që protestuesit të lëvizin dhe të tërhiqen në disa momente, ndërsa përplasjet kanë vijuar përgjatë segmentit të bulevardit ku janë pozicionuar efektivët e rendit.

Situata është shoqëruar me tensione të vazhdueshme që prej momentit kur protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Gjatë tubimit janë regjistruar disa episode konfrontimi, ndërsa hedhja e molotovëve dhe gurëve ka sjellë reagimin e forcave të policisë me mjete për shpërndarjen e turmës.

Protesta e kësaj të shtune është zhvilluar në kuadër të tubimit kombëtar të thirrur nga opozita, ku qytetarë nga Tirana, qytete të ndryshme të vendit dhe shqiptarë nga diaspora janë bashkuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

Pjesëmarrësit kanë artikuluar thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kanë paraqitur kërkesa politike, mes të cilave krijimi i një qeverie tranzitore dhe kalimi në Vetting i të gjithë klasës politike.

Ndërkohë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” situata vijon të mbetet e tensionuar, me protestuesit dhe policinë në përballje, ndërsa mbetet për t'u parë nëse do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm apo nëse palët do të tërhiqen nga zona e konfrontimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion