I kërkuar prej vitesh, shqiptari i shpëton policisë italiane pas shkëmbimit të zjarrit, emri

Bota

I kërkuar prej vitesh, shqiptari i shpëton policisë italiane pas
Policia italiane ka intensifikuar kërkimet për 37-vjeçarin shqiptar Ervis Murra, i cili arriti t'u shpëtojë forcave të rendit gjatë një operacioni policor në San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias. Edhe pas kërkimeve të zhvilluara gjatë gjithë natës, shqiptari vijon të jetë në arrati, ndërsa autoritetet po kontrollojnë një zonë të gjerë në rajonin e Venetos dhe në Polesine.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, më 27 nëntor, në një banesë të izoluar në zonën rurale të San Pietro di Cavarzere, ku policia kishte shkuar për të ekzekutuar dy urdhër-arreste. Gjatë ndërhyrjes u regjistrua një përplasje me armë zjarri, e cila përfundoi me vdekjen e një shtetasi shqiptar, ndërsa një tjetër person u arrestua.

Ervis Murra ishte personi i tretë që ndodhej në banesë dhe arriti të largohej përmes zonës përreth, duke humbur gjurmët e tij në fushat dhe hapësirat rurale pranë banesës.

Sipas raportimeve të mediave italiane, përfshirë “Ottopagine”, 37-vjeçari u largua nga banesa me veshje minimale, madje raportohet se kishte veshur vetëm të brendshme. Kjo e ka bërë më të vështirë identifikimin dhe lokalizimin e tij, ndërsa dyshohet se mund të jetë strehuar në ndonjë ndërtesë të braktisur në zonën përreth.

Për kapjen e shqiptarit janë angazhuar forca të shumta të policisë, karabinierë dhe struktura të tjera të sigurisë, ndërsa në operacion është përfshirë edhe një helikopter që ka monitoruar zonën nga ajri.

Dyshimet për të arratisurin

Një nga elementet që ka shtuar vëmendjen e autoriteteve është fakti se Murra ishte një prej personave për të cilët ishte lëshuar urdhër-arresti. Sipas mediave italiane, ai kishte një dënim përfundimtar prej shtatë vitesh burg për grabitje dhe ishte i kërkuar prej disa vitesh.

Megjithatë, rrethanat e sakta të shkëmbimit të zjarrit dhe mënyra se si ndodhi vdekja e shqiptarit tjetër janë ende objekt hetimi. Sipas raportimeve të fundit të mediave lokale, dinamika e të shtënave nuk është zbardhur plotësisht.

Policia vijon të kërkojë Ervis Murrën, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të rindërtuar të gjithë episodin dhe për të përcaktuar se si ai arriti t'i shpëtonte operacionit policor.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion