Plum'ba gome dhe gaz lotsjellës në protestën e Tiranës, në terren zbresin skuadrat me motorë

Policia e Shtetit ka angazhuar edhe skuadra të posaçme me motorë gjatë protestës kombëtare të opozitës, e zhvilluar këtë 28 Nëntor në Tiranë, në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe menaxhimin e situatave të tensionuara.
Efektivët e këtyre skuadrave janë pajisur me armë të posaçme për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave prej gome, duke qenë pjesë e forcave policore të dislokuara në terren përgjatë zhvillimit të tubimit.
Sipas burimeve, ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestë është qëlluar edhe me plumba gome. Ky informacion vjen në një kohë kur situata në kryeqytet është tensionuar ndjeshëm, me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Skuadrat me motorë janë angazhuar për të mbështetur efektivët e tjerë në terren dhe për të ndërhyrë në rastet kur situata kërkon reagim të shpejtë të forcave të policisë. Pajisjet që disponojnë u mundësojnë përdorimin e mjeteve të posaçme për shpërndarjen e turmave, përfshirë gazin lotsjellës dhe plumbat prej gome.
Përdorimi i këtyre të fundit rikthen në vëmendje edhe protestat studentore, ku sipas raportimeve të kohës, dhjetëra të rinj kishin mbetur të lënduar dhe me shenja në trup pas përplasjeve me policinë.
Ndërkohë, protesta e 28 Nëntorit është shoqëruar me episode të përsëritura tensioni. Gjatë marshimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë hedhur molotovë, fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotët me ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
Angazhimi i skuadrave me motorë është pjesë e planit të sigurisë të Policisë së Shtetit për këtë tubim, ndërsa zhvillimet në terren vijojnë të shoqërohen me vëmendje të shtuar për shkak të përplasjeve dhe përdorimit të mjeteve të ndryshme nga të dyja palët.
Deri në këto momente, nuk ka një bilanc të konfirmuar zyrtarisht për numrin e personave të lënduar nga përdorimi i plumbave prej gome gjatë protestës.


