Tragjedi në Turqi, shembet masivi shkëmbor në Kapadokia gjatë festës kombëtare, raportohen viktima dhe të plagosur

Bota

Tragjedi në Turqi, shembet masivi shkëmbor në Kapadokia
Një situatë alarmante është regjistruar në Kapadokia të Turqisë mesditën e së enjtes, pasi një nga formacionet shkëmbore karakteristike të zonës, të njohura si “oxhaqet e zanave”, u shemb në hyrje të muzeut në natyrë të Goremes.

Sipas informacioneve të mediave turke, nga shembja ka viktima dhe të plagosur, por deri më tani nuk është bërë i ditur numri i saktë i tyre apo shkalla e rëndësisë së plagëve të të lënduarve.

Në raportimet e para, guvernatori i zonës foli për të paktën dy viktima dhe një të plagosur.

“Ne kemi nxjerrë trupat e pajetë të dy personave që humbën jetën për shkak të rënies së shkëmbinjve, si pasojë e një rrëshqitjeje dheu. Një të plagosur e kemi transportuar në spital për trajtim. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në vendngjarje”, deklaroi ai.

Në vendngjarje janë dërguar ekipe të shumta shpëtimi dhe ambulanca, ndërsa operacionet e shërbimeve të emergjencës vijojnë. Shkaqet e shembjes ende nuk janë sqaruar.

Shembja ndodhi në një ditë me fluks të lartë vizitorësh, pasi e enjtja është festë kombëtare në Turqi, me rastin e përvjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë.

Shumë qytetarë kishin zgjedhur ta shfrytëzonin ditën e pushimit për të udhëtuar drejt Kapadokias, ku muzeu në natyrë i Goremes është një nga atraksionet më të rëndësishme turistike të zonës.

Formacionet karakteristike shkëmbore të Kapadokias, të njohura si “oxhaqet e zanave”, janë krijuar nga erozioni i shkëmbinjve vullkanikë gjatë mijëra viteve.

Goreme është i njohur ndërkombëtarisht për këto formacione, si dhe për kishat dhe manastiret historike të gdhendura në shkëmbinj. Zona është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion