Tonelata ko'kainë në nëndetësen gjysmëzhytëse, marina franceze zhvillon operacionin në Atlantik

Marina franceze ka sekuestruar 146 kilogramë kokainë pasi ndaloi një mjet lundrues gjysmëzhytës në Oqeanin Atlantik. Në bord ndodheshin katër persona, ndërsa disa tonë të tjerë drogë përfunduan në fund të detit pasi ekuipazhi aktivizoi mekanizmin e fundosjes.
Një operacion i pazakontë është zhvilluar në Oqeanin Atlantik, ku Marina Kombëtare Franceze ka interceptuar një mjet lundrues gjysmëzhytës që transportonte disa tonë kokainë.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 12 nëntor 2026, ndërsa lajmi u bë publik këtë të diel nga Ministria Franceze e Mbrojtjes dhe Prefektura e Martinikës.
Sipas autoriteteve franceze, sapo fregata ushtarake iu afrua mjetit lundrues, i cili nuk mbante asnjë flamur identifikues, tre persona nga ekuipazhi u hodhën në det.
Ndërkohë, ekipi francez i ndërhyrjes arriti të hipte në bord dhe të nxirrte personin e katërt, i cili kishte aktivizuar mekanizmin e fundosjes së mjetit.
Autoritetet bëjnë me dije se mjeti u fundos në më pak se tre minuta, por katër të dyshuarit u shpëtuan dhe u morën në kontroll nga forcat franceze.
Gjatë operacionit, autoritetet arritën të nxirrnin nga deti disa pako me kokainë, me një peshë totale prej 146 kilogramësh.
Megjithatë, pjesa tjetër e ngarkesës, që sipas Ministrisë Franceze të Mbrojtjes arrinte në disa tonë, u fundos bashkë me mjetin lundrues.
Bëhet fjalë për një mjet gjysmëzhytës, një lloj embarcacioni artizanal ose gjysmëartizanal, i projektuar për të lundruar shumë pranë sipërfaqes së ujit, me qëllim shmangien e zbulimit.
Autoritetet franceze e cilësuan ndërhyrjen si një operacion të paprecedentë për Marinën Kombëtare.
Aksioni u zhvillua në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, me mbështetjen e një helikopteri të vendosur në fregatën franceze dhe të një avioni amerikan të patrullimit detar.
Operacioni u zhvillua nën drejtimin operacional të agjencisë ndërinstitucionale amerikane për luftën kundër trafikut të narkotikëve.
Përmes këtij aksioni, autoritetet franceze dhe amerikane përcollën një mesazh të qartë për rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës: as ujërat ndërkombëtare nuk përbëjnë një zonë të sigurt për trafikantët.


