Sulme të shumta ndaj tij/ Portieri Owono mbyll rrjetet sociale pas vdekjes së De Miguel

Portieri i FC Andorra, Jesús Owono, pritet të mos përballet me akuza penale pas incidentit tragjik në fushën e lojës, që i mori jetën sulmuesit të Tenerife-s, Jesús de Miguel.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë përballjes mes dy skuadrave, kur Owono tentoi të largonte topin, por në dyluftim goditi me gju në gjoks De Miguel-in. Ky i fundit u rrëzua menjëherë në fushë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor dhe përpjekjeve për ta shpëtuar, ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare.
Portieri u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen, ndërsa pas tragjedisë ka deklaruar se nuk kishte asnjë qëllim për të dëmtuar kundërshtarin. Sipas raportimeve, Owono është thellësisht i tronditur nga ajo që ndodhi.
Situata për të është bërë edhe më e vështirë pas reagimeve të tifozëve. Gjatë largimit nga fusha, portieri u përball me thirrje të rënda, ku disa prej tyre e cilësonin si “vrasës”. Pamjet e këtij momenti janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Sipas mediave spanjolle, edhe pse pritet të mos ketë pasoja penale, Owono mund të përballet me një sanksion të rëndë sportiv, që mund të shkojë nga 8 deri në 12 ndeshje pezullim.
Ndërkohë, portieri ka mbyllur llogarinë e tij në Instagram pas valës së komenteve fyese dhe sulmeve verbale që ka marrë në rrjetet sociale.
Një tjetër detaj i raportuar është se Owono dëshiron të kontaktojë privatisht familjen e Jesús de Miguel-it, për të shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen për humbjen tragjike.
Një ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në futbollin spanjoll, duke prekur jo vetëm familjen e viktimës, por edhe futbollistët që ishin pjesë e atij momenti dramatik.


