Lojtari serb nuk heq dot dorë nga Lezha: Flas shqip, nuk dua të largohem

Përfundon kontrata e Milan Gjorgjeviç me Lezhën por lojtari nuk e do këtë largim. Ai po mendon rikthimin, por në mendje ka edhe opsione të tjera. Mësohet se Gjorgjeviç ndodhet në Serbi dhe po sheh si opsion të përfshihet edhe si pjesë e stafit teknik, derisa pret të pajiset me licencën e trajnerit.
Por, edhe kjo ka punë. Lojtari serb duhet të diskutojë me presidentin. Ai po ashtu ka folur për mediat sportive shqiptare se nuk dëshiron të largohet nga Lezha pasi është përshtatur shumë, duke treguar se flet shumë mirë shqip
“I jam bashkuar Besëlidhjes në janar të vitit 2012 dhe aq shumë më është futur në zemër ky ekip, sa jam bërë tifoz i saj i zjarrtë. Gjatë këtyre 9 viteve që kam veshur këtë fanellë, vetëm dy herë jam larguar nga Lezha dhe detyruar për arsye objektive.
Në verën e 2019-ës erdha për ta mbyllur karrierën time futbollistike këtu në Shqipëri. Të dyja sezonet e fundit me fanellën lezhjane përkuan në periudhë pandemie. Edhe për mua rezultoi fatale, pasi veç Koronavirusit më goditi nervi shiatik dhe më pas apendiciti. Shpresoj t’i kem kaluar pa pasoja të rënda për shëndetin. Tani jam në fazën e fundit të terapisë në një klinikë këtu në Beograd dhe jam thuajse i rehabilituar. Po pres ndërkohë të marr edhe licencën si trajner dhe shpresoj që javën tjetër të vij në Lezhë për të biseduar me presidentin për të ardhshmen time.
Dëshira ime është që futbollin ta mbyll me Besëlidhjen, ashtu siç e kam deklaruar më herët. Unë tani jam integruar plotësisht në shoqërinë shqiptare. Flas dhe shkruaj shumë mirë gjuhën, kam zënë shumë miq dhe për këtë jam i lumtur. Shpresoj shumë që në sezonin 2021-2022 të përmbushet objektivi madhor dhe rikthimi në Kategorinë Superiore. Kjo do të ishte një mbyllje spektakolare e karrierës për mua. Kam shumë besim që kjo do të ndodhë”, tha ai. /Burimi: Panorama.al


