Njohja e kualifikimeve profesionale të BE-së, gati drafti, do të zbatohet nga dita e anëtarësimit

Ministria e Arsimit ka nxjerrë për konsultim një projektligj që synon të vendosë në Shqipëri regjimin e Bashkimit Europian për njohjen e kualifikimeve profesionale, duke përcaktuar rregulla për profesionistët e kualifikuar në BE, Zonën Ekonomike Europiane dhe Zvicër, si dhe për shqiptarët që kërkojnë të ushtrojnë profesionin në këto vende.
Drafti e përcakton si qëllim “mundësimin e lëvizjes së lirë dhe lirisë së ofrimit të shërbimeve” për profesionistët e kualifikuar, si në drejtim të Shqipërisë, ashtu edhe nga Shqipëria drejt vendeve europiane.
Ndryshimi është pjesë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2005/36/KE për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe Direktivën 2018/958 për testin e proporcionalitetit.
Sipas relacionit të Ministrisë, legjislacioni aktual nuk ofron ende një regjim të plotë të përafruar me BE-në, duke krijuar “pengesë për mobilitetin e profesionistëve, burokraci për njohjen e diplomave dhe certifikatave”, si dhe pasiguri juridike për bizneset dhe institucionet arsimore.
Si do të veprohet
Projektligji krijon tre rrugë kryesore për njohjen e kualifikimeve: sistemin e përgjithshëm, njohjen automatike mbi bazën e përvojës profesionale dhe njohjen automatike për profesionet sektoriale që plotësojnë kushtet minimale të harmonizuara të formimit.
Në grupin e profesioneve sektoriale përfshihen mjekët, infermierët, stomatologët, mamitë, veterinerët, farmacistët dhe arkitektët. Relacioni përcakton se për këto profesione sistemi do të mbështetet në njohjen reciproke të kualifikimeve kur formimi i kryer në një vend të BE-së plotëson kushtet minimale të harmonizuara europiane.
Për kualifikimet e përfshira në listat që do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, drafti shkon më tej duke përcaktuar se autoritetet shqiptare “nuk kontrollojnë përmbajtjen e formimit të kryer në një shtet anëtar të BE-së”. Lista e diplomave dhe certifikatave që përfitojnë nga ky trajtim do të përditësohet sa herë që BE-ja ndryshon listat përkatëse të kualifikimeve profesionale.
Për profesionet që nuk plotësojnë kushtet e njohjes automatike do të përdoret sistemi i përgjithshëm. Nëse autoritetet konstatojnë dallime thelbësore mes formimit të aplikantit dhe kërkesave shqiptare, mund të kërkohet një masë kompensuese, një periudhë përshtatjeje deri në tre vjet ose një test përshtatshmërie.
Si rregull, profesionistit i jepet e drejta të zgjedhë mes dy alternativave.
Drafti vendos edhe afate për administratën. Autoriteti kompetent duhet të konfirmojë marrjen e aplikimit brenda një muaji, ndërsa shqyrtimi i një dosjeje të plotë duhet të përfundojë jo më vonë se tre muaj, me mundësi shtyrjeje me një muaj në raste të caktuara. Vendimi ose mungesa e tij brenda afatit mund të ankimohet.
Një regjim më i lehtë parashikohet për profesionistët e vendeve anëtare që vijnë në Shqipëri vetëm për të ofruar shërbime në mënyrë të përkohshme ose të rastësishme. Ata mund të ushtrojnë një profesion të rregulluar “pa qenë e nevojshme të kryhet njohja e kualifikimeve profesionale”, nëse janë të vendosur ligjërisht në një shtet anëtar dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.
Përpara ofrimit të shërbimit për herë të parë, profesionisti duhet të paraqesë një deklaratë pranë autoritetit kompetent. Në profesionet ku ekziston rrezik serioz për shëndetin ose sigurinë e përfituesit, autoriteti mund të kryejë kontroll paraprak të kualifikimeve.
Nëse administrata nuk reagon brenda afateve ligjore, drafti i jep profesionistit të drejtën të nisë ushtrimin e profesionit.
Projektligji hap gjithashtu rrugën për përdorimin e Kartës Profesionale Europiane, një certifikatë elektronike e lidhur me sistemin IMI të tregut të brendshëm të BE-së. Karta do të jetë alternativë ndaj procedurave tradicionale si për shërbimet e përkohshme, ashtu edhe për vendosjen e profesionistit në një shtet tjetër.
Për shërbimet e përkohshme që nuk kërkojnë kontroll paraprak, autoriteti shqiptar, kur vepron si autoritet i shtetit të origjinës, duhet ta lëshojë kartën brenda tre javësh. Në disa procedura ku Shqipëria është shteti pritës, nëse autoriteti nuk merr vendim brenda afatit të parashikuar, “Karta Profesionale Europiane konsiderohet e lëshuar dhe transmetohet automatikisht nëpërmjet IMI-së”.
Njohja e kualifikimit nuk eliminon kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe.
Drafti përcakton se profesionistët duhet të zotërojnë njohuritë e nevojshme të shqipes për ushtrimin e profesionit, por kontrolli mund të bëhet vetëm në rrethana të përcaktuara, përfshirë profesionet që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e pacientit ose kur ka dyshime serioze dhe konkrete për nivelin gjuhësor. Kontrolli duhet të jetë “i justifikuar, i domosdoshëm dhe proporcional”.
Pjesa tjetër e reformës prek mënyrën se si Shqipëria mund të vendosë rregulla të reja për profesionet e rregulluara. Përpara çdo kufizimi të ri mbi hyrjen apo ushtrimin e një profesioni, autoritetet do të duhet të kryejnë një vlerësim paraprak proporcionaliteti.
Sipas draftit, vlerësimi duhet të përgatitet “në mënyrë objektive dhe të pavarur” dhe, kur është e mundur, të mbështetet edhe në të dhëna mbi ndikimin në punësim ose hyrjen në treg.
Projektligji kërkon gjithashtu informimin dhe përfshirjen e qytetarëve, përfituesve të shërbimeve dhe grupeve të interesit përpara vendosjes së kufizimeve të reja. Drafti, arsyetimi dhe vlerësimi i proporcionalitetit duhet të bëhen publikisht të disponueshme “në mënyrë transparente, të kuptueshme dhe të aksesueshme lirisht”.
Efektet
Ministria argumenton në relacion se sistemi i ri synon të ulë barrierat administrative, të lehtësojë lëvizjen profesionale, të ndihmojë kthimin e ekspertëve shqiptarë nga diaspora dhe t’u japë bizneseve akses më të lehtë në profesionistë të kualifikuar.
Megjithatë, zbatimi i regjimit është lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit. Neni i fundit i draftit përcakton shprehimisht: “Ky ligj hyn në fuqi ditën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.”
Edhe efekti buxhetor është shtyrë në të njëjtën kohë. Relacioni thotë se projektligji “nuk ka efekte financiare të menjëhershme në buxhetin e shtetit” dhe se ndikimi do të evidentohet me hyrjen në fuqi të dispozitave pas anëtarësimit në BE./ Monitor


