Sinoptikanët paralajmërojnë: Reshje në disa zona, por temperaturat do rriten

Pas javësh të nxehta dhe të thata reshjet përfshinë Tiranën për pak minuta paraditen e të mërkurës kur u duk se bashkë me shiun do të kthehej freskia, por nuk ndodhi kështu.
Alternime kthjellimesh dhe vranësirash parashikojnë meteorologët për një pjesë të vendit tonë. Në disa zona ato pritet të shoqërohen dhe me reshje të dobëta. Nuk do të mungojnë dhe shtrëngatat afatshkurta.
Por reshjet do të zgjasin pak. Instituti I Gjeoshkencave parashikon largimin e tyre nga territori të enjten.
Megjithkëtë reshjet nuk pritet të zbusin të nxehtin e ditëve të fundit. Temperaturat e ajrit parashikohet të rriten lehtë. Sipas Institutit të Gjeoshkencave termometri në zonat e ulta, matur ne hije, te enjten do të regjistrojë 35 gradë celcius.
Mëngjeset dhe mbrëmjet do të vijojnë të jenë të nxehta pasi temperatura minimale parashikohet deri në 23 gradë celcius në bregdet.
Herë pas here era që do të fryjë e lehtë deri mesatare mund të sjellë freski e të gjenerojë valëzim në det të forcë 2 deri 3 ballë.
Ndërkohë rreziku për zjarre nuk është larguar. Temperaturat dhe thatësira favorizojnë flakët dhe Instituti i Gjeoshkencave parashikon rrezik më të lartë të enjten dhe në qarqet e Fierit, Gjirokastrës, në perëndim të Dibrës , lindje të Durrësit dhe Tiranës, veri dhe perëndim të Vlorës dhe veri e jug të Korçës.
Gushti sipas meteorologëve do të mbyllet me temperatura të larta dhe po kështu parashikohet të nisë dhe shtatori.


