Skema 1 milion euro e evazionit fiskal, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq kompaninë dhe administratorin

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një shoqëri tregtare, së bashku me administratorin e saj, të identifikuar me inicialet S.L., të akuzuar për fshehje të të ardhurave dhe evazion fiskal.
Sipas hetimeve, shoqëria ‘Sekilda’ sh.p.k., gjatë viteve 2017–2018, nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë për vitin 2017, si dhe nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Nga akti i ekspertimit kontabël ka rezultuar se detyrimi tatimor i shmangur arrin në 48.834.581 lekë. Kjo shumë përfshin 46.695.471 lekë detyrime për TVSH dhe tatim mbi fitimin për vitin 2017, si dhe 2.139.110 lekë TVSH për vitin 2018.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, detyrimi i përgjithshëm i shoqërisë ndaj shtetit, duke përfshirë edhe gjobat dhe interesat, arrin në 112.604.938 lekë, ose mbi 1.1 milionë euro.
Hetimet janë kryer në kuadër të procedimit penal nr. 1150, të vitit 2021, ku janë administruar kontrollet tatimore, të dhënat bankare, informacionet e deklaruara nga klientët e shoqërisë dhe ekspertimi kontabël.
Shoqëria dhe administratori i saj akuzohen për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”, parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit bën me dije se do të vijojë angazhimin në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave që lidhen me shkeljet tatimore, të cilat dëmtojnë financat publike dhe konkurrencën e ndershme në treg.


