“Ka nevojë urgjente për ndërhyrje në këmbë”, avokati i Veliajt: Neglizhenca mund të jetë e qëllimshme (VIDEO)

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka dhënë detaje të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të klientit të tij. Pas një ekzaminimi të kryer nga një mjek turk në spitalin e Fierit, sipas Ndrecës, është konstatuar se këmba e thyer nuk është bashkuar siç duhet dhe kërkon ndërhyrje kirurgjikale urgjente.
Ndreca bëri me dije se Veliaj është dërguar sot në Spitalin Memorial të Fierit, ku i janë kryer grafi dhe rezonancë magnetike, pas një kërkese urgjente të avokatit drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe drejtuesit të burgut të Fierit. Avokati tha se ende nuk kishte marrë dokumentacionin mjekësor, të cilin synon ta konsultojë me specialistë në Tiranë për të përcaktuar ndërhyrjen e nevojshme.
Ai e cilësoi situatën shqetësuese dhe akuzoi autoritetet e burgjeve për neglizhencë, duke pretenduar se prej një muaji kishte kërkuar ekzaminimin e këmbës së Veliajt në një institucion spitalor, por nuk ishte marrë asnjë masë. “Është një situatë skandaloze, sepse vjen si pasojë e neglizhencës dhe mosveprimit të autoriteteve të burgjeve. Ne kemi një muaj që kërkojmë që këmba të ekzaminohet dhe të kontrollohet në një institucion spitalor”, u shpreh Ndreca.
Avokati paralajmëroi se çdo vonesë mund të sjellë pasoja të mëtejshme për rikuperimin e këmbës dhe aftësinë e Veliajt për të ecur. “Çdo vonesë është e rrezikshme për rikuperimin dhe për pasojat në vijim të këmbës dhe ecjes së zotit Veliaj. Duhet të shihet menjëherë nga specialistët kjo problematikë, në mënyrë që të mos ketë pasoja të tjera të parikuperueshme”, deklaroi ai.
Në përfundim, Ndreca la të hapur mundësinë që neglizhenca e pretenduar të ketë qenë e qëllimshme, duke kërkuar verifikimin e përgjegjësive nga autoritetet përkatëse. Ai theksoi se çdo i paraburgosur ka të drejtën për trajtim mjekësor në kohë dhe se situata e krijuar kërkon ndërhyrje të menjëhershme.


