Skandali i privatësisë dhe artistëve / Ekspertët: Ligjet ekzistojnë, problemi kryesor është moszbatimi i tyre

Skandali i përhapjes së pamjeve të rënda erotike, ku ishin të përfshirë disa artistë shqiptarë, tronditi opinionin e gjerë publik gjatë javës së fundit.
Ajo që e bëri ngjarjen edhe më të rëndë është shkelja e privatësisë, pa llogaritur asnjë pasojë. Përmes prodhimit dhe shpërndarjes së pamjeve të ndaluara, legjislacioni shqiptar ka parashikuar deri më sot gjoba. Ekspertët bëjnë thirrje që shkelje të këtij lloji të përfshihen në Kodin tonë Penal, sikurse qytetarët të ndërgjegjësohen mbi pasojat që sjell konsumimi i mundshëm i veprës penale.
Por nga shpërthimi i skandalit, në një kohë kur të ekspozuar janë aktorë të njohur dhe njerëz publikë, pyetja e parë që shtrohet është; sa të sigurt janë qytetarët e thjeshtë?
Dy ishin problematikat kryesore që nxori në pah shpërndarja masive e pamjeve intime me artistët shqiptarë, ana teknike dhe ajo ligjore.
E para, përdorimi dhe njohuritë e dobëta të pajisjeve teknologjike nga ana e qytetarëve në përdorimin e tyre i bën ata më të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, temë e cila është trajtuar më herët
E dyta ështe korniza ligjore. Ekziston një e tillë, që privatësia të mbrohet me ligj në vendin tonë apo një e tillë nuk zbatohet?
Ekspertë e së drejtës, thanë se korniza ligjore për mbrojtjen e privatësisë jo vetëm që ekziston në vendin tonë, por është përafruar vitet e fundit me legjislacionin e BE-së. Problemi sipas tyre mbetet te moszbatimi.
Ligjet dhe masat e sigurisë publike për sigurinë dhe privatësinë detyrojnë bizneset me të ardhura mbi 10 milionë lekë në vit, lokalet me mbi 50 klientë, taksitë, autobusët, shkollat, kopshtet dhe parqet e lojërave të pajisen me sisteme kamerash sigurie.
Ligji parashikon se është rreptësisht e ndaluar që kamerat private të drejtohen ose të filmojnë pronat e fqinjve apo hapësirat publike (rrugët kryesore pa autorizimin përkatës), pasi kjo përbën shkelje të privatësisë. Çdo subjekt apo biznes që vendos kamera vëzhgimi ka detyrim ligjor të vendosë tabelë njoftuese të dukshme për qytetarët se zona është e monitoruar.
Regjistrimi i zërit (audio) përgjithësisht ndalohet për të mbrojtur privatësinë, dhe pamjet duhet të ruhen vetëm për periudhat e lejuara kohore, duke ia vënë ato në dispozicion Policisë së Shtetit vetëm kur ka një kërkesë zyrtare për hetim.
Korniza ekziston, por nuk zbatohet. Ekspertët kërkojnë që shkeljet të përfshihen në Kodin Penal dhe dënimet të jenë më ashpra.
Avokatja Drita Avdyli i tha “MAPO.al” se korniza ligjore e mbrojtjes së privatësisë është përshtatur gjatë dy viteve të fundit me atë të vendeve të BE-së, por pas kësaj sfidë mbetet zbatimi.
“Nuk mungon korniza ligjore. Ligji madje është rregulluar me disa ndryshime. Kemi një kuadër ligjor. Ligji kryesor, nr. 124/2024, është përafruar me GDPR-në, dhe Komisioni
Evropian e ka vlerësuar si në linjë me alAcquis-in. Sfida tani është zbatimi.
Bazuar në kushtetutë, neni 35 mbron të dhënat personale, neni 36 fshehtësinë e korrespondencës dhe neni 37 paprekshmërinë e banesës”, - thekson Avdyli.
Sipas ish-ambasadorit të BE-së, raporti i Komisionit për vitin 2025 e vlerësoi miratimin e ligjit të ri si progres, duke e quajtur plotësisht në linjë me standardet ndërkombëtare ndërkohë që disa dispozita janë parashikuar që të hyjnë në zbatim në janar 2027.
Gjithashtu, aktet nënligjore të ligjit të ndryshuar mbeten në fuqi derisa të miratohen të rejat.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDP), thekson avokatja, po bën trajnime me ekspertë të fushës te KUB për këtë qëllim, ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Pas shpërndarjes së videove me artistët, mësohet se Komisioneri ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm.
Avokatja Avdyli thotë se “në anën penale, Direktiva e BE-së 2024/1385 kërkon kriminalizimin e shpërndarjes pa pëlqim të materialeve intime. Me sa di unë, Kodi Penal shqiptar ende nuk ka një nen të posaçëm për këtë”, thotë avokatja Avdyli.
Ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe njohja me pasojat që vijnë nga shkelja e privatësisë se tjetrit janë një tjetër sfidë. Më të ekspozuar mbeten kryesisht të rinjtë.
Këshilla për mbrojtjen e privatësisë
“Kam zhvilluar takime edhe me gjimnazistë, për kujdesin që duhet të kenë sepse bëjnë foto private dhe intime dhe shantazhohen nga shokët, kemi shume raste’, - thekson avokatja Avdyli.
“Personalisht, edhe fotot kur i nxjerr në Facebook, i marr leje me shkrim klientëve dhe të gjithëve, pasi e di rëndësinë e këtij ligji. Madje, kur shpërndaj foto, kam kontratë me to,” shton Avdyli.
“Privatësia mbrohet duke përdorur fjalëkalime të forta, verifikim përmes dy hapave, duke kufizuar të dhënat personale që publikohen dhe duke kontrolluar lejet e aplikacioneve. Duhet gjithashtu kujdes me link-et, mesazhet e dyshimta dhe shpërndarjen e informacionit privat”.
“Kjo ka të bëjë me aftësinë dhe profesionalizmin e personit, çdo individ duhet të përditësohet me të rejat teknologjike dhe ligjore, për privatesinë e punës dhe familjes” thotë në mbyllje avokatja Drita Avdyli./ MAPO


