Mund të shitet deri në 4 milionë euro, ora e shqiptarit – modeli ‘Chronograph Flyback’ fiton çmimin prestigjioz ‘Aiguille d’Or’

Bota

Mund të shitet deri në 4 milionë euro, ora e shqiptarit –

Orëndreqësi me origjinë nga Kosova, Rexhep Rexhepi, është shpallur fitues i çmimit prestigjoz “Aiguille d’Or” në edicionin e vitit 2026 të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), një prej konkurseve më të rëndësishme ndërkombëtare në industrinë e orëve luksoze.

Çmimi i madh iu akordua për modelin e tij “Chronograph Flyback”, i cili u vlerësua si krijimi më i mirë i këtij edicioni. Ky sukses shënon një tjetër arritje të rëndësishme për mjeshtrin shqiptar dhe markën e tij të pavarur.

Ora e vlerësuar nga juria dallohet për mekanizmin e saj të ri, të përbërë nga 320 komponentë dhe me një rezervë energjie prej 72 orësh. Numratori është realizuar me smalt, përmes teknikës tradicionale “Grand Feu”, ndërsa përpunimi dhe dekorimi i mekanizmit janë kryer tërësisht me dorë, duke dëshmuar nivelin e lartë të mjeshtërisë artizanale.

Rexhep Rexhepi ka lindur në Kosovë në vitin 1987, ndërsa gjatë fëmijërisë u zhvendos në Zvicër, ku nisi të ndërtonte karrierën e tij në industrinë e orologjisë. Me kalimin e viteve, ai arriti të krijojë identitetin e tij në këtë fushë, duke themeluar markën e pavarur “Akrivia”.

 Përmes kësaj marke, Rexhepi fitoi njohje ndërkombëtare për prodhimin e orëve mekanike luksoze, të karakterizuara nga përpunimi i imët dhe vëmendja ndaj çdo detaji. Më vonë, krijimet e tij nisën të mbanin edhe emrin e vetë mjeshtrit shqiptar.

Modeli “Chronograph Flyback” ka një çmim të deklaruar prej 150 mijë frangash zvicerane, pa përfshirë taksat. Në një intervistë, Rexhepi ka shpjeguar se ka vendosur ta mbajë çmimin në këtë nivel, pavarësisht kërkesës së lartë për orët e tij në tregun e rishitjes, ku vlera e tyre mund të arrijë deri në katër milionë euro.

Fitimi i çmimit “Aiguille d’Or” e rendit Rexhep Rexhepin mes emrave më të vlerësuar të orologjisë së pavarur zvicerane, duke i dhënë një tjetër dimension suksesit të tij ndërkombëtar.

Arritja e mjeshtrit me origjinë shqiptare është një dëshmi e talentit dhe përkushtimit, por edhe një moment krenarie për Kosovën dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion