Rusia sulmon Ukrainën, Polonia merr masa emergjente në dy rajone

Bota

Rusia sulmon Ukrainën, Polonia merr masa emergjente në dy rajone
Banorët e rajoneve Lublin dhe Podkarpackie, në kufi me Ukrainën, kanë marrë mesazhe alarmi për rrezikun e një sulmi ajror, ndërsa Polonia ka vënë në gatishmëri sistemet e saj të mbrojtjes ajrore.

 Mëngjesin e sotëm, gjatë një sulmi masiv rus ndaj Ukrainës, banorët e dy rajoneve polake pranë kufirit ukrainas janë paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm nga ajri. Lajmi është raportuar nga radioja polake RMF24.

Përmes mesazheve të alarmit, qytetarëve në rajonet Lublin dhe Podkarpackie u është kërkuar të kërkojnë strehim në vende të sigurta dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

 “Rrezik për sulm ajror. Gjeni një vend të sigurt. Ndiqni udhëzimet e autoriteteve dhe prisni informacione të mëtejshme”, thuhej në njoftimin e dërguar banorëve.

Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake bëri të ditur se masat e ndërmarra kishin karakter parandalues, për shkak të aktivitetit të aviacionit ushtarak në rajon. Si pasojë e situatës, aeroporti i Rzeszów pezulloi përkohësisht fluturimet.

Edhe Ministria polake e Mbrojtjes konfirmoi se po monitoronte vazhdimisht zhvillimet, duke theksuar se forcat dhe mjetet ushtarake ishin në gatishmëri për të reaguar menjëherë në rast nevoje.

Më vonë, Komanda Operacionale sqaroi se disa objekte të paidentifikuara dyshohej se kishin shkelur hapësirën ajrore të Polonisë.

“Po verifikojmë të dhënat e marra nga sistemet e radarëve dhe po marrim masat e nevojshme për të neutralizuar çdo kërcënim të mundshëm”, deklaruan autoritetet ushtarake polake.

Shkeljet e mundshme të hapësirës ajrore polake përbëjnë rrezik për popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike të vendit. Për më tepër, duke qenë se Polonia është anëtare e NATO-s, incidente të tilla shtojnë tensionet dhe rrisin rrezikun e një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Aleancës.

Nuk është hera e parë që mjete ajrore ruse dyshohet se shkelin hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Natën e 10 shtatorit 2025, gjatë një sulmi masiv rus ndaj Ukrainës, disa dronë të tipit “Shahed” hynë në territorin polak, duke detyruar autoritetet të aktivizonin masat e mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë, më 30 korrik 2026, në Poloni u raportua për rënien e një rakete ruse. Një krater i shkaktuar nga shpërthimi u zbulua mes fshatrave Tarnawa-Kolonia dhe Tokary.

Sipas Ministrisë polake të Mbrojtjes, drejt vendit ishin lëshuar rreth 20 raketa, ndërsa të gjitha, me përjashtim të njërës, ishin interceptuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Zhvillimet e fundit tregojnë se lufta në Ukrainë vijon të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për sigurinë e vendeve fqinje, duke mbajtur në gatishmëri të lartë autoritetet polake dhe strukturat e NATO-s.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion