Mashtrimi makabër, dënohet me 10 vite burg 35-vjeçari që fshehi trupin e nënës dhe pretendoi rrëmbimin nga alienët

Një histori e pazakontë ka përfunduar me një dënim prej 10 vitesh burg në Xhorxhia të SHBA-së. Jason Christopher Campbell, 35 vjeç, u shpall fajtor për fshehjen e vdekjes së nënës së tij, Marie Campbell, duke pretenduar fillimisht se ajo ishte rrëmbyer nga alienët. 35-vjeçari kishte raportuar zhdukjen e nënës së tij 65-vjeçare më 6 janar 2025.
Familjarët dhe fqinjët nisën kërkimet për gruan, pasi ajo ishte larguar nga banesa dhe mungonin edhe makina, çanta, dokumenti i identifikimit dhe telefoni i saj.
Më 8 janar, Campbell u tha autoriteteve se një person i panjohur e kishte marrë nënën e tij nga shtëpia tre ditë më parë dhe se nuk kishte pasur më asnjë kontakt me të.
Por policia zbuloi se një ditë më herët ai kishte telefonuar shërbimet e urgjencës dhe kishte pretenduar se nëna e tij ishte “rrëmbyer nga alienët”. Deklarata e pazakontë bëri që policia të kontrollonte pronën e familjes.
Atje, efektivët zbuluan mbetjet e djegura të 65-vjeçares në oborrin e shtëpisë. Sipas raportimeve, kur autoritetet mbërritën, zjarri ende nuk ishte shuar plotësisht.
Campbell u akuzua në shkurt të vitit 2025, pasi autopsia konfirmoi se mbetjet mortore i përkisnin nënës së tij. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes së Marie Campbell. Sipas ligjit të Xhorxhias, fshehja e vdekjes së një personi përbën vepër penale kur pengon hetuesit të përcaktojnë nëse personi ka humbur jetën si pasojë e një krimi.
Për këtë vepër, 35-vjeçari u dënua me 10 vite burg.

