Rekord i ri në arkën e shtetit, doganat mbledhin 164,9 miliardë lekë, rekordit i prin nafta dhe duhanit

Aktualitet

1790250714_doganat.jpg
Të ardhurat e mbledhura nga Doganat në tetë muajt e parë të vitit 2026 arritën në 164,9 miliardë lekë, rreth 6,8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky është niveli më i lartë i regjistruar për një periudhë tetëmujore. Rritja është mbështetur kryesisht te TVSH-ja në import dhe akciza, ku spikasin karburanti dhe cigaret.

TVSH-ja e mbledhur për mallrat e importuara solli rreth 4,4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Mbi gjysmën e kësaj shtese e dha karburanti, me 2,5 miliardë lekë. Rritje pati edhe nga importi i veshjeve, me 673 milionë lekë më shumë, i cigareve me 462 milionë lekë, si dhe i kompjuterëve dhe printerëve me 304 milionë lekë.

Nga akciza u mblodhën rreth 2 miliardë lekë më shumë. Cigaret e importuara dhanë kontributin më të madh, me një shtesë prej 1,4 miliardë lekësh. Sipas Doganave, krahas të ardhurave është rritur me rreth 111 tonë edhe sasia e importuar dhe konsumi i cigareve.

Karburanti i importuar solli 258 milionë lekë më shumë nga akciza, ndërsa rritje pati edhe nga produktet e tjera, me 66 milionë lekë, duhani i prodhuar në vend, me 41 milionë lekë, dhe birra e importuar, me 36 milionë lekë.

Edhe taksat doganore kontribuuan në rezultatin e tetëmujorit, me 568 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar. Nga veshjet, këpucët dhe artikuj të tjerë u mblodhën 136 milionë lekë më shumë, nga metalet bazë 74 milionë lekë dhe nga produktet e tjera 64 milionë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e lidh nivelin rekord të të ardhurave me përmirësimin e administrimit doganor, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe forcimin e kontrolleve kundër informalitetit. Shifrat e publikuara tregojnë kontributin e secilës kategori në rritjen e të ardhurave, por nuk veçojnë ndikimin e ndryshimit të çmimeve nga ai i sasive të importuara.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion