Reforma territoriale/ Komisioni i Ligjeve miraton hartën e re, 15 bashki shkrihen dhe 6 qytete shtohen

Komisioni i Ligjeve miratoi në tërësi me 8 vota pro projektligjin për hartën e re territoriale, i cili tashmë i kalon seancës plenare. Reforma redukton numrin e bashkive nga 61 në 46, ndërsa gjatë shqyrtimit u miratuan edhe propozimet e socialistit Ermal Pacaj për t’u dhënë statusin e qytetit disa zonave të tjera.
Komisioni i Ligjeve ka miratuar në tërësi me 8 vota pro projektligjin për hartën e re territoriale, duke i hapur rrugë kalimit të tij për votim në seancën plenare të Kuvendit.
Harta e re ndryshon ndjeshëm organizimin aktual territorial të vendit, duke reduktuar numrin e bashkive nga 61 në 46. Në total janë 15 bashki që humbasin statusin aktual dhe bashkohen me bashki të tjera, ndërsa 28 bashki përfshihen në procesin e konsolidimit territorial.
Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosi me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Berati zgjerohet duke marrë Dimalin dhe Poliçanin, ndërsa Elbasanit i bashkohen Cërriku dhe Belshi.
Patosi i bashkohet Fierit, Divjaka Lushnjës dhe Selenica Vlorës. Në juglindje, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa Këlcyra me Përmetin. Memaliaj i bashkohet Tepelenës, Libohova Gjirokastrës dhe Përrenjasi Librazhdit.
Në këtë mënyrë, bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas nuk do të ekzistojnë më si bashki më vete nëse reforma merr votat e nevojshme edhe në seancën plenare.
Por ndryshimi nuk përfundon vetëm me reduktimin e numrit të bashkive. Harta e re sjell edhe një mënyrë të re organizimi të territorit, duke futur nivelin “qytet” mes bashkisë dhe njësisë administrative.
Gjatë shqyrtimit nen për nen në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialist dhe relatori i projektligjit, Ermal Pacaj, propozoi që disa njësi të tjera të marrin statusin e qytetit. Propozimet, sipas tij, kanë ardhur gjatë procesit të konsultimit publik nga këshillat bashkiakë dhe lidhen edhe me kriteret që këto zona plotësojnë.
Në qarkun e Shkodrës, në Bashkinë Malësi e Madhe, Kastrati do të marrë statusin e qytetit dhe do t'i shtohet Koplikut. Kjo do të thotë se Malësia e Madhe do të ketë dy qytete: Koplikun dhe Kastratin.
Po në qarkun e Shkodrës, në Bashkinë Vau i Dejës, statusin e qytetit do ta marrë edhe Bushati. Bashkia do të organizohet kështu me qytetin e Vaut të Dejës dhe qytetin e Bushatit.
Ndryshime parashikohen edhe në qarkun e Dibrës. Në Bashkinë Mat, e cila me hartën e re përfshin edhe Klosin, propozohet që statusin e qytetit ta marrë edhe Ulza. Në këtë mënyrë, Mati do të ketë tre qytete: Burrelin, Klosin dhe Ulzën.
Në Bashkinë Bulqizë, Krasta do të marrë gjithashtu statusin e qytetit dhe do t'i shtohet Bulqizës.
Një tjetër ndryshim prek qarkun e Lezhës. Në Bashkinë Kurbin, Miloti do të marrë statusin e qytetit, duke e çuar në tre numrin e qyteteve brenda kësaj bashkie: Laç, Mamurras dhe Milot.
Gjatë diskutimit u bë edhe një korrigjim për Laçin. Pacaj sqaroi se në tabelën që shoqëronte projektligjin ishte bërë një lapsus, duke u përdorur emërtimi “qyteti Kurbin”. Formulimi korrigjohet dhe emërtimi i saktë do të jetë Bashkia Kurbin, me qytetet Laç, Mamurras dhe Milot.
Ndryshime do të ketë edhe në Bashkinë Kavajë, e cila zgjerohet me bashkimin e Rrogozhinës. Golemi do të marrë statusin e qytetit dhe bashkia e re do të përfshijë qytetet Kavajë, Rrogozhinë dhe Golem.
Për qarkun e Tiranës u propozuan gjithashtu korrigjime teknike të hartës. Në Bashkinë Vorë, kufiri ndarës me Bashkinë Tiranë, në zonën e njësisë administrative Bërxullë, do të përcaktohet nga autostrada Kashar-Thumanë në vend të përroit të Limuthit. Korrigjime teknike në hartë janë propozuar edhe për Bashkinë Kamëz.
Me ndryshimet e propozuara gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve, harta e re nuk ndryshon vetëm kufijtë dhe numrin e bashkive, por riorganizon edhe mënyrën se si klasifikohen qendrat urbane brenda tyre.
Pas miratimit nen për nen dhe në tërësi në Komisionin e Ligjeve, beteja për hartën e re territoriale zhvendoset tashmë në seancën plenare. Për miratimin përfundimtar të reformës nevojiten 84 vota.
Nëse merr votat e nevojshme në Kuvend, Shqipëria do të kalojë nga 61 në 46 bashki, ndërsa 15 bashki të sotme do të humbasin statusin e tyre dhe do të bëhen pjesë e njësive më të mëdha vendore.
Si ndryshon harta e re territoriale
15 bashkitë që shkrihen dhe ku bashkohen:
• Fushë-Arrëz → bashkohet me Pukën
• Klos → bashkohet me Matin
• Rrogozhinë → bashkohet me Kavajën
• Dimal → bashkohet me Beratin
• Poliçan → bashkohet me Beratin
• Patos → bashkohet me Fierin
• Divjakë → bashkohet me Lushnjën
• Selenicë → bashkohet me Vlorën
• Maliq → bashkohet me Korçën
• Këlcyrë → bashkohet me Përmetin
• Memaliaj → bashkohet me Tepelenën
• Libohovë → bashkohet me Gjirokastrën
• Cërrik → bashkohet me Elbasanin
• Belsh → bashkohet me Elbasanin
• Përrenjas → bashkohet me Librazhdin
Zonat që marrin statusin e qytetit:
• Kastrati → qytet në Bashkinë Malësi e Madhe
• Bushati → qytet në Bashkinë Vau i Dejës
• Ulza → qytet në Bashkinë Mat
• Krasta → qytet në Bashkinë Bulqizë
• Miloti → qytet në Bashkinë Kurbin
• Golemi → qytet në Bashkinë Kavajë


