Horoskopi financiar i muajit, ja çfarë sjell tetori për secilën shenjë të zodiakut

Tetori mund të sjellë disa momente të paparashikueshme për financat, por kjo nuk do të thotë se duhet t'i trembeni muajit. Përkundrazi, energjia astrologjike e tetorit ju shtyn të rishikoni mënyrën si menaxhoni paratë, të mendoni më seriozisht për karrierën dhe të bëni zgjedhje më të zgjuara financiare përpara sezonit të festave.
Më 3 tetor, Afërdita nis prapavijën, duke ju bërë të reflektoni më shumë mbi mënyrën se si shpenzoni dhe mbi atë që konsideroni vërtet të vlefshme. Afërdita nuk lidhet vetëm me dashurinë, por edhe me vlerat dhe paratë, ndaj ky është një moment i mirë për të pyetur veten nëse puna, projektet apo investimet ku po shpenzoni energjinë tuaj ia vlejnë vërtet.
Java e parë e muajit mund të jetë intensive edhe në aspektin profesional. Mos lejoni që konkurrenca apo emocionet t'ju shtyjnë të merrni vendime të nxituara për paratë ose karrierën. Përqendrohuni te përgjegjësitë tuaja dhe tek objektivat afatgjata.
Më 10 tetor, Hëna e re në Peshore sjell një moment të favorshëm për lidhje të reja profesionale, kontrata, marrëveshje dhe negociata. Kompromisi dhe ekuilibri do të jenë në favorin tuaj. Nëse keni një vendim të rëndësishëm financiar apo profesional për të marrë, periudha pas Hënës së re mund të jetë veçanërisht e mirë për të vepruar.
Më 23 tetor fillon sezoni i Akrepit, duke sjellë një energji më intensive dhe më të drejtpërdrejtë. Mund të kuptoni më qartë se çfarë meritoni dhe ku duhet të vendosni kufij.
Megjithatë, më 24 tetor nis prapavija e Mërkurit, ndaj nga kjo datë deri më 13 nëntor duhet të tregoheni më të kujdesshëm me paratë, komunikimin dhe planet profesionale. Kontrolloni dy herë takimet, dokumentet, kontratat dhe detajet financiare. Nëse është e mundur, shtyni blerjet e mëdha ose projektet e rëndësishme.
Në fund të muajit, Hëna e plotë e Gjahtarit, që shfaqet natën e 25 tetorit, sjell një moment të rëndësishëm për financat dhe ambiciet. Është koha të kërkoni atë që mendoni se meritoni, të rinegocioni tarifat tuaja ose t'i riktheheni një pune dytësore që mund t'ju sjellë të ardhura.
Ja çfarë sjell tetori për financat e secilës shenjë:
Dashi
Tetori ju kërkon të shikoni më nga afër situatën tuaj financiare dhe të përballeni me çdo çështje që e keni lënë pas dore. Nëse keni borxhe apo pagesa të harruara, Hëna e re e 10 tetorit është moment i mirë për të rishikuar marrëveshjet ose për të nisur t'i sistemoni.
Hëna e plotë më vonë gjatë muajit ju shtyn të hiqni dorë nga dyshimet dhe kufizimet që i keni vendosur vetes. Mos lejoni që pasiguritë t'ju pengojnë të kërkoni më shumë financiarisht dhe profesionalisht.
Demi
Tetori ju ndihmon të gjeni një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës personale. Pyetja kryesore është: si mund të jeni produktivë pa e konsumuar veten?
Hëna e re më 10 tetor është një moment i mirë për të krijuar zakone më të shëndetshme pune dhe për të riorganizuar rutinën tuaj.
Hëna e plotë më vonë në shenjën tuaj ju ndihmon të kuptoni më qartë se ku dëshironi të investoni kohën, energjinë dhe paratë. Mund të rishikoni edhe mënyrën si e organizoni ditën tuaj.
Binjakët
A ka diçka ku keni investuar shumë kohë dhe para, por që nuk po ju sjell rezultatin e pritur?
Tetori ju kërkon të jeni të sinqertë me veten për shpenzimet, projektet apo angazhimet që po marrin më shumë nga sa po ju japin.
Me fillimin e sezonit të Akrepit, do të ndiheni më të motivuar për të marrë kontrollin e kohës, buxhetit dhe produktivitetit tuaj. Kujdes vetëm nga Mërkuri në prapavijë pas 24 tetorit, pasi mund të sjellë vonesa, keqkuptime dhe çrregullime në rutinën tuaj të punës.
Gaforrja
Gjatë javës së parë të tetorit, çështjet personale mund të ndikojnë te përgjegjësitë tuaja profesionale. Përpiquni ta organizoni mirë kohën dhe mos i humbisni nga sytë objektivat afatgjata.
Rreth Hënës së re të 10 tetorit, intuita mund t'ju ndihmojë në një vendim financiar. Përveç fakteve dhe shifrave, kushtojini vëmendje edhe mënyrës se si ndiheni për një situatë.
Diçka për të cilën keni punuar prej kohësh mund të fillojë të japë rezultate në mes të muajit. Kjo është një periudhë e mirë për të bërë një lëvizje financiare të guximshme, por të menduar mirë.
Luani
Këtë muaj do të ndiheni më të motivuar për të ndjekur objektivat tuaja. Përdoreni këtë energji edhe për të përmirësuar situatën financiare.
Hëna e re më 10 tetor mund të sjellë kontakte të dobishme, kontrata të reja ose një bisedë që hap një derë profesionale. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë apo një rekomandim kur ju nevojitet.
Hëna e plotë dy javë më vonë ndriçon sektorin tuaj të karrierës dhe ju ndihmon t'i ktheni ambiciet në një plan konkret, hap pas hapi. Mos lejoni që konkurrenca t'ju largojë nga objektivat tuaja.
Virgjëresha
Paratë do të jenë një nga temat kryesore për ju gjatë gjithë muajit. Hëna e re e 10 tetorit mund të jetë moment i favorshëm për të nisur një projekt të ri, për të kërkuar një pozicion më të paguar ose për të investuar energjinë dhe burimet tuaja në diçka që mund të sjellë rritje.
Hëna e plotë mund t'ju japë një perspektivë të re mbi karrierën dhe t'ju tregojë mundësi që nuk i kishit konsideruar më parë.
Në fund të muajit mund të filloni të rishikoni se çfarë ka vërtet vlerë për ju. Mos kini frikë të ndryshoni drejtim nëse diçka nuk ju përshtatet më.
Peshorja
Këtë muaj paratë dhe mënyra si po investoni në jetën tuaj profesionale do të jenë në qendër të vëmendjes.
Mund të kuptoni se diçka ku keni investuar kohë, energji ose para nuk përputhet më me atë që dëshironi. Dhe është në rregull të ndryshoni mendje.
Hëna e re në shenjën tuaj më 10 tetor është moment i mirë për të bërë një fillim të ri dhe për të zgjedhur atë që ndihet më në përputhje me vlerat tuaja.
Pas 24 tetorit, bëni kujdes me buxhetin. Mërkuri në prapavijë mund t'ju sjellë shpenzime të paplanifikuara, ndaj nëse mundeni, mbani mënjanë një shumë rezervë.
Akrepi
Karriera është në një moment shumë të mirë këtë muaj, ndaj mos lejoni që shpërqendrimet t'ju dalin përpara.
Hëna e re e 10 tetorit mund t'ju bëjë të vini në pikëpyetje disa gjëra rreth identitetit dhe drejtimit tuaj, por përpiquni të mos humbisni besimin te vetja.
Në mes të muajit mund të shfaqen mundësi interesante profesionale dhe puna juaj e palodhur mund të fillojë të shpërblehet.
Me fillimin e sezonit të ditëlindjes suaj, do të hyni në një periudhë më reflektuese. Mendoni për rrugën ku ndodheni dhe rikthehuni te besimi që ju nevojitet për të ndjekur objektivat profesionale dhe financiare.
Shigjetari
Dy javët e para të tetorit janë shumë të mira për networking, bashkëpunime dhe krijimin e kontakteve të reja profesionale.
Hëna e re e 10 tetorit është veçanërisht e favorshme për projekte të përbashkëta, ndaj qëndroni të hapur ndaj njerëzve dhe ideve të reja.
Pas 24 tetorit mund të shfaqen keqkuptime me kolegët për shkak të Mërkurit në prapavijë. Flisni më qartë dhe mos lini hapësirë për keqinterpretime.
Kjo periudhë mund t'ju ndihmojë gjithashtu të identifikoni zakone të këqija financiare dhe të filloni t'i ndryshoni. Vetëm mos prisni rezultate brenda natës.
Bricjapi
Sezoni i Peshores ju vendos në një pozicion ku karriera kërkon më shumë vëmendje. Është moment i mirë për të negociuar dhe për të kërkuar kushte pune që përputhen më mirë me objektivat tuaja.
Hëna e re e 10 tetorit mund të jetë momenti i duhur për të kërkuar një pozicion të ri ose për të bërë hapin tjetër në karrierë.
Në mes të muajit mund të shfaqet edhe një person që ju ndihmon financiarisht ose profesionalisht, ndoshta edhe një familjar. Nëse shfaqet një mundësi e re, mos hezitoni ta konsideroni, edhe nëse mendoni se e keni tashmë të përcaktuar rrugën tuaj.
Ujori
Ky muaj mund t'ju bëjë të vini në pikëpyetje investimin tuaj në karrierën aktuale.
Mos u frikësoni. Ndonjëherë një pauzë për të menduar është pikërisht ajo që ju nevojitet për të kuptuar nëse jeni duke shkuar në drejtimin që dëshironi apo thjesht po vazhdoni nga zakoni.
Rikthimi tek ambiciet dhe vlerat tuaja mund t'ju japë përgjigjet që kërkoni. Kushtojini vëmendje momenteve të qartësisë gjatë fillimit të muajit dhe në nisje të sezonit të Akrepit.
Pas 24 tetorit, tregohuni të kujdesshëm me vonesat dhe gabimet në punë që mund të sjellë Mërkuri në prapavijë.
Peshqit
Tetori është një muaj i mirë për të sistemuar gjërat përpara se të fillojë periudha e festave.
Organizoni detyrat, krijoni lista për punën dhe përpiquni të shlyeni borxhet apo pagesat e prapambetura.
Por për të qenë produktivë, duhet të dini edhe kur të thoni "jo". Hëna e re më 10 tetor ju kujton rëndësinë e kufijve dhe të menaxhimit të kohës. Nuk është e nevojshme të pranoni çdo kërkesë apo mundësi që ju vjen.
Dhe duket se ky ndryshim mund t'ju shpërblejë. Kur filloni ta vlerësoni më shumë kohën dhe punën tuaj, mund të shfaqen edhe mundësi më të mira financiare. Zakonet dhe sistemet që krijoni këtë muaj mund të bëhen baza për një situatë më të qëndrueshme financiare në të ardhmen.


