Qëlluan me vezë makinën e eskortës së Ramës, shoqërohen 12 protestuesit në Manëz

12 aktivistë janë shoqëruar nga policia në zonën e Manzës, pasi kanë hedhur vezë në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte kryeministri Edi Rama.
Ngjarja është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune, teksa kreu i qeverisë po udhëtonte drejt Gjirit të Lalëzit, ku po zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Një grup aktivistësh i kishin zënë pritën eskortës së kryeministrit përgjatë rrugës dhe në momentin që automjeti i Ramës kaloi, kanë hedhur vezë në drejtim të tij.
Pas incidentit, policia ka ndërhyrë duke shoqëruar 12 aktivistët. Deri më tani nuk ka informacion të plotë mbi identitetin e tyre dhe akuzat konkrete që mund të ngrihen ndaj tyre.

