Qarkullonte me ar'më dhe municion në makinë, arrestohet 38-vjeçari në Tiranë, sekuestrohen 23 fishekë

Një 38-vjeçar nga Durrësi është vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe municion luftarak në kryeqytet. Operacioni i koduar “Gjurma” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Lëvizja e tij u ndërpre në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku efektivët ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi me iniciale D. K. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pistoletë në çantën e tij marsup, si dhe 23 fishekë të fshehur poshtë sediljes së shoferit.
38-vjeçari është shoqëruar dhe arrestuar në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.
Njofimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurma”.
Qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri dhe municion luftarak, vihet në pranga 38-vjeçari.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe 23 fishekë.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurma”.
Si rezultat i veprimeve policore, në rrugën “Perlat Rexhepi”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. K., 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të automjetit, në çantën marsup të drejtuesit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, si dhe 23 fishekë, të gjetur poshtë sediljes së drejtuesit.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi D. K. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


