Çfarë ka ndodhur?/ AMA forcon masat kundër piraterisë audiovizive

Autoriteti i Mediave Audiovizive do të shtojë masat ndaj piraterisë, pasi fenomeni është përhapur vitet e fundit si pasojë e zhvillimeve të teknologjisë.
AMA njoftoi krijimin Koalicionit kundër Piraterisë Audiovizive, një bashkëpunim me operatorët e ligjshëm të tregut për të mbrojtur të drejtat e transmetimit, investimet në përmbajtje dhe konkurrencën e ndershme.
“Konkurrenca e pandershme ndikon drejtpërdrejtë në treg. Çdo abonim që kalon te një shërbim privat i heq të ardhura tregut. Mendoni për vendimin që merrni kur bleni të drejta për një sezon. Shërbimi pirat hyn në këtë treg pasi ju keni marrë përsipër rriskun dhe keni sjellë produktin te publiku.
Disa prej jush konkurroni çdo ditë për të njëjtin klient. Ju ftoj të ngremë koalicionin kundër piraterisë, përmes një memorandumi bashkëpunimi me të gjithë subjektet e ligjshëm”, tha Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi.
Nisma synon të ngrejë një mekanizëm të koordinuar për identifikimin, raportimin dhe ndjekjen e rasteve të transmetimit apo ritransmetimit të paautorizuar.
“Sipas të dhënave të institucionit për vitin 2026, deri në periudhën e raportimit janë kryer 222 inspektime në terren dhe janë vendosur 11 gjoba, pesë prej tyre për mosrespektim të të drejtave të transmetimit. Pas raportimeve të strukturave të AMA-s janë mbyllur 32 serverë të paautorizuar dhe janë hequr tri aplikacione, ndërsa janë kryer edhe tri sekuestrime të pajisjeve të përdorura për veprimtari pirate.
Të organizojmë punën të ndërhyjmë teksa ngjarja ende po transmetohet. Sapo konstatoni një transmetim pa autorizim raportojeni te AMA. AMA verifikon ankesën dhe kur plotësohen kushtet ia referon AKEP”, tha Krasniqi.
Sipas Autroitetit të Mediave Audiovizive, pirateria cënon të ardhurat e operatorëve dhe të mbajtësve të të drejtave, dobëson mundësinë për investime të reja dhe ndikon në cilësinë e ofertës audiovizive për publikun.


