Publikohen emrat, kush janë viktimat e rrëzimit të helikopterit në Bosnjë, mes tyre e diplomuara për mjekësi

Bota

Publikohen emrat, kush janë viktimat e rrëzimit të helikopterit
Janë identifikuar katër viktimat e rrëzimit të helikopterit ushtarak italian në Bosnjë-Hercegovinë. Bëhet fjalë për Simone Ruggia, Claudio Marchesi, Franco Adriano Zecchillo dhe Laura Procacci, të cilët humbën jetën gjatë një operacioni stërvitor të forcave të Bashkimit Evropian, EUFOR Althea.

Dy prej viktimave ishin pjesëtarë të ushtrisë italiane, ndërsa dy të tjerët shërbenin në Korpusin Ushtarak Vullnetar të Kryqit të Kuq Italian.

Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi ishin të dy rreshterë në Komandën e Aviacionit të Ushtrisë Italiane (AVES), në qendrën stërvitore të Viterbos, pjesë e regjimentit të parë “Antares”.

Ruggia ishte nga Salerno dhe prej rreth tetë vitesh shërbente në Viterbo. Ndërsa Marchesi, 35 vjeç, ishte nga Orvieto. Ai ishte pasionant i skive dhe futbollit, sport të cilin e kishte praktikuar që në rini.

Dy viktimat e tjera ishin pjesë e Kryqit të Kuq Italian. Franco Adriano Zecchillo, 65 vjeç, mbante gradën e togerit dhe ishte një prej vullnetarëve me përvojë të organizatës.

Ndërsa Laura Procacci, 32 vjeçe, ishte pjesëtarja më e re e grupit. Ajo ishte me origjinë nga Andria dhe sapo kishte përfunduar studimet për Mjekësi dhe Kirurgji në Romë, përpara se t'i bashkohej Kryqit të Kuq si vullnetare.

Më 28 mars të këtij viti, Procacci kishte kryer betimin e besnikërisë, duke u bërë gruaja e parë nënoficere që përfundonte këtë procedurë në Korpusin Ushtarak të Kryqit të Kuq Italian.

Helikopteri ushtarak CH-47 Chinook u rrëzua më 29 tetor në zonën e Gorices, pranë Brçkos, në veri të Bosnjë-Hercegovinës, gjatë një misioni të zakonshëm stërvitor.

Në bord ndodheshin 15 persona. Përveç katër viktimave, 11 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas autoriteteve, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Dy prej të plagosurve u transferuan në një strukturë spitalore në Tuzëll, ndërsa nëntë të tjerët morën trajtim në Brçko.

Helikopteri ishte pjesë e misionit EUFOR Althea, operacioni ushtarak i Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, i cili synon ruajtjen e sigurisë dhe zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në vend. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion