Ndryshimet e reja ekonomike, çfarë sjell Paketa Fiskale 2027 dhe çfarë fature financiare i rezervon biznesit

Aktualitet

Ndryshimet e reja ekonomike, çfarë sjell Paketa Fiskale 2027 dhe
Pikëpamje e një drejtuesi financiar mbi barrën që paketa i vë funksionit financiar dhe biznesit, përtej normave.

Nga Olgerta Cekrezi

Si drejtues financiar, e shoh paketën fiskale 2027 më pak si çështje normash dhe më shumë si çështje zbatimi. Ka në të elemente që mirëpriten: ulja e TVSH-së në 6% për shportën bazë, ruajtja e lehtësive për biznesin e vogël dhe fundi i dorëzimit të dyfishtë të pasqyrave financiare në tatime dhe në QKB.

Por pesha e saj për biznesin nuk qëndron te këto. Qëndron te përqendrimi: TVSH-ja, fitimi, dividenti, pagat, sponsorizimet dhe procedurat ndryshojnë njëherësh, nga 1 janari 2027, në një kuadër zbatues ende të pambyllur. Duke përshkruar shkurt ndryshimet dhe vendosur theksin te efekti në funksionin financiar dhe në biznes.
Ndryshimet e reja ekonomike, çfarë sjell Paketa Fiskale 2027 dhe

Efekti dhe barra mbi biznesin
Kostoja e përshtatjes dhe koha

Çdo masë veç e veç është e menaxhueshme. Kostoja lind nga njëkohshmëria, sepse detyrat janë paralele e të ndërvarura: çmimi varet nga norma, norma nga sistemi i faturimit, buxheti nga të gjitha. Në kosto hyjnë orët e ekipit financiar, konsulenca tatimore e ligjore e jashtme, zhvillimet e licencat softuerike, trajnimi dhe rreziku i gabimit në muajt e parë. Asnjëra nuk figuron në vlerësimet e ndikimit, por i paguan biznesi. Për një grup me departamente të specializuara është ngarkesë; për një shoqëri me një person të vetëm në kontabilitet është e paproporcionuar.

Koha e përkeqëson. Buxhetet e 2027 miratohen në tremujorin e fundit të 2026, mbi supozime që ende lëvizin. Mendimi im është se një buxhet i miratuar pa normat e njohura është i pasaktë, kurse një buxhet i shtyrë është i vonë. Zgjidhja e vetme reale është buxheti me skenarë, me rishikim pas miratimit të paketës dhe të akteve zbatuese.

Karburantet dhe taksimi i automjeteve

Heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, e shoqëruar me rritjen e taksimit vjetor të automjeteve, ndryshon mënyrën e shpërndarjes së barrës fiskale. Efekti i pritshëm është ulja e çmimit të karburantit me 32,4 lekë për litër, përfshirë efektin e TVSH-së, nëse ulja kalon plotësisht te konsumatori. Por kjo nuk do të thotë se kostoja totale e transportit ulet për çdo biznes. Për një shoqëri me flotë automjetesh, përfitimi nga karburanti duhet krahasuar me rritjen e taksës vjetore për secilin mjet. Rezultati varet nga numri i automjeteve, konsumi vjetor dhe kriteret e reja të taksimit.

Bizneset me konsum të lartë karburanti mund të përfitojnë më shumë nga ulja për litër, ndërsa ato me flotë të madhe mund të përballen me një barrë më të lartë vjetore. Për këtë arsye, buxheti i vitit 2027 duhet të përfshijë një rillogaritje të kostos totale të flotës, jo vetëm një parashikim të çmimit të karburantit. Përpara zbatimit, duhen sqaruar formula e re e taksimit, kategoritë e automjeteve që përfshihen dhe trajtimi i mjeteve me targa të huaja, në mënyrë që efekti neto të vlerësohet mbi bazën e rregullave konkrete dhe jo të supozimeve

TVSH: mekanika më e rëndësishme se norma

Ndikimi më i madh nuk është pika e shtuar e normës, por mënyra si zbatohet. Së pari, momenti i lindjes së detyrimit tatimor: fatura e dhjetorit për furnizim në janar, avanset e 2026 për shitje në 2027 dhe furnizimet e vazhdueshme nuk duhet të lihen në interpretim, përndryshe biznese të ndryshme do t’i trajtojnë ndryshe dhe pasoja është mosmarrëveshja në inspektim. Së dyti, kontratat me çmim të fiksuar: pa klauzolë rishikimi, barra shkon te pala që e ka formuluar më keq kontratën, çmim pa TVSH apo me TVSH; kontratat afatgjata, përfshirë ato me sektorin publik, janë më të ekspozuarat. Së treti, kredia e TVSH-së: biznesi që blen stoqe me 20% dhe i shet me 6% krijon pozicion kredie. E drejta e zbritjes ruhet, por zbritja ose rimbursimi nuk është i menjëhershëm, kështu që efekti shfaqet në kapitalin qarkullues dhe në rrjedhën e parasë, jo në rezultat.

Në akomodim, rritja nga 6% në 10% vjen kur çmimet e sezonit 2027 janë negociuar shpesh me operatorët turistikë. Nëse çmimi është pa TVSH, barra bie mbi klientin; nëse është me TVSH, zbret drejtpërdrejt nga marzhi i operatorit.

Fitimi, dividenti dhe fitimi i pashpërndarë i periudhave të mëparshme

Barra e kombinuar mbi fitimin e shpërndarë rritet nga 21.8% në 27.75%, pra me 5.95 pikë, rreth një të tretën në terma relativë: nga 100 lekë fitim para tatimit, ortaku merr 72.25 në vend të 78.2. Pyetja që më shqetëson më shumë, megjithatë, është e kaluara. Fitimi i pashpërndarë i viteve të mëparshme është tatuar tashmë me tatimin mbi fitimin dhe është mbajtur në shoqëri me pritshmërinë e një dividendi 8%. Nëse norma 15% zbatohet për çdo shpërndarje pas 1 janarit 2027, pavarësisht nga periudha ku fitimi është krijuar, efekti ekonomik i ngjan atij prapaveprues. Për çdo 100 milionë lekë fitim të pashpërndarë, diferenca është 7 milionë lekë. Rregulli kalimtar duhet shprehur në akt, jo lënë në interpretim.

Në mungesë të tij, drejtuesit financiarë kanë tri rrugë: shpërndarje të nxituar para 1 janarit, mbajtje të fitimit përmes riinvestimit ose rritjes së kapitalit, ose pritje. Shpërndarja e nxituar kufizohet nga miratimi i pasqyrave financiare, nga likuiditeti dhe nga rregullat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare për rezervat, kapitalin dhe të drejtat e ortakëve pakicë; një shpërndarje vetëm për motive tatimore, pa këto kontrolle, rrezikon vlefshmërinë e vendimit. Riinvestimi e lidh kapitalin në afat të gjatë. Pritja e lë vendimin peng të një rregulle që nuk ekziston. Në çdo rast, shoqëria, si agjent i mbajtjes në burim, mban përgjegjësinë për normën e saktë, çka e kthen pasigurinë normative në rrezik përputhshmërie për vetë shoqërinë. Njësimi i normës së mbajtur në burim në 15% kërkon qartësim edhe për pagesat drejt jorezidentëve dhe për marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Biznesi i vogël mes tri pragjeve

Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë është ndryshim i modelit operativ, jo thjesht detyrim shtesë: regjistrim, faturim me TVSH, deklarim mujor, kontabilitet i rregullt, softuer fiskal dhe TVSH në çmim për klientët që nuk e zbresin. Më thellë se kaq, paketa ripërcakton kategorizimin e bizneseve të vogla me tre kufij që ndërveprojnë: 5 milionë për TVSH-në, 14 milionë për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin dhe regjimi 15%/23% për personat fizikë tregtarë. Një subjekt me xhiro 4 milionë nuk regjistrohet në TVSH. Një tjetër me 6 milionë regjistrohet, por mbetet i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin. Një i tretë me 15 milionë hyn plotësisht në regjimin e përgjithshëm. Çdo kalim rrit menjëherë koston e përputhshmërisë, ndërsa fitimi rritet gradualisht.

Rezultati është nxitje për ndarje artificiale të veprimtarisë, për frenim të rritjes nën prag ose për kthim te informaliteti. Askush nuk e dëshiron këtë efekt, por një kategorizim pa kriter të qartë matjeje e prodhon. Mbeten pa përgjigje mënyra e matjes së xhiros (vit kalendarik apo 12 muaj), afati i detyrimit për t’u regjistruar dhe trajtimi i subjekteve që e kalojnë pragun gjatë vitit. Për subjektet midis 5 dhe 14 milionë, barra administrative shtohet pa u shoqëruar domosdoshmërisht me bazë tatimore për shtetin, çka e bën vlerësimin kosto-përfitim të kësaj mase të domosdoshëm.

Paga dhe sponsorizime

Fashat e reja të pagave aplikohen që në listëpagesën e janarit: rikonfigurim sistemi, rillogaritje e kostos totale për pozicionet e larta dhe rishikim i kontratave ku paga është shprehur neto. Në sponsorizime, përfituesit tashmë tatohen, ndërsa sponsorizuesi zbret brenda kufijve të rinj; buxhetet e përgjegjësisë shoqërore dhe marrëveshjet shumëvjeçare duhen rivlerësuar, sepse efekti neto ndryshon për të dyja palët.

Procedurat: fuqi më e madhe e administratës

Në procedura, shqetësimi im nuk është vetë masa, por kombinimi i saj me pasigurinë. Mospagimi në afat i këstit të paradhënies çon në bllokim llogarish e sekuestro, pa rritje gjobe, por me të drejtë veprimi menjëherë pas afatit. Për një shoqëri me likuiditet të ngushtë, bllokimi për një vonesë të shkurtër ndalon pagat dhe furnitorët; kalendari i këstave kthehet kështu në çështje likuiditeti. Gjoba 10% për pagesat në para, e shtrirë te shitjet ndaj konsumatorit, kërkon rishikim të politikave të arkëtimit në pakicë. Sekuestrimi i pajisjeve kompjuterike e fiskale ndalon veprimtarinë dhe kërkon garanci proporcionaliteti. Dosja e çmimeve të transferimit duhet të jetë gati në çdo kohë, sepse afati është 45 ditë dhe gjoba fikse 100,000 lekë; kontrolli për çregjistrim mund të vijë pa afat njoftimi, brenda 30 ditëve pune. Si anë pozitive, nga 2027 pasqyrat dorëzohen një herë, por 2026 shkon ende në të dyja pikat, pra një cikël me dy procese paralele.

Zbatueshmëria dhe legjislacioni suportues

Një normë zbatohet realisht vetëm kur shoqërohet me akte nënligjore, udhëzime të ministrit të Financave dhe të administratës tatimore, formate deklaratash, specifikime për faturimin e fiskalizimin dhe rregulla kalimtare. Në këtë moment mungojnë lista e shportës me VKM dhe klasifikimi i produkteve të përpunuara, rregullat kalimtare të përmendura më sipër, mënyra e matjes së pragut dhe tolerancat për gabimet e para në faturim, deklarim e mbajtje në burim. Mendimi im është se një detyrim pa rregulla zbatuese nuk është plotësisht i mbështetur nga legjislacioni: biznesi rrezikon ta zbatojë para se të detajohet dhe pastaj të përgjigjet për interpretimin që zgjodhi, në një kuadër ku sanksioni është i shpejtë. Prandaj udhëzimet e hershme nuk janë komoditet, por kusht i zbatueshmërisë.

Si veprohet deri në daljen e akteve nënligjore

Qasja ime mbështetet në katër parime:

Kujdes dhe dokumentim: zbatim sipas leximit më të kujdesshëm të tekstit të propozuar, me dokumentim të supozimeve dhe të arsyetimit.

Pa angazhime të pakthyeshme: shpërndarjet, kontratat afatgjata me çmim të fiksuar dhe investimet në sisteme, kur varen nga elemente të hapura, merren me klauzola kushtëzuese ose rishikimi.

Qartësim me shkrim: kërkesa te administrata tatimore dhe pjesëmarrje në konsultim përmes shoqatave të biznesit; korrespondenca ruhet si provë mirëbesimi.

Rezervë kalimtare: në buxhet një kosto përshtatjeje dhe një rezervë kontigjence.

Operativisht, para 1 janarit rekomandoj:

Sistemet: testim të ERP-së, softuerit të faturimit dhe pajisjeve fiskale me normat e reja, me rezervë kohe.

Çmimet dhe kontratat: rishikim i listave të çmimeve dhe i klauzolave të TVSH-së, sidomos në ushqim, akomodim e restorant.

Likuiditeti: kalendar i këstave të paradhënies dhe rezervë ndaj masave të mbledhjes me forcë.

Fitimi: krahasim i kostos tatimore të skenarëve të shpërndarjes, me këshillim ligjor e tatimor mbi trajtimin kalimtar.

Pragu: për xhiro afër 5 milionë lekëve, vlerësim i regjistrimit dhe i efektit në çmim e marzh.

Dokumentacioni: dosja e çmimeve të transferimit dhe dokumentet kontabël gati në çdo kohë.

Çfarë pres nga politikëbërësit

Rregulla kalimtare të shprehura për momentin e lindjes së detyrimit, avanset, kontratat në vazhdim dhe, sidomos, fitimin e periudhave të mëparshme, me mundësi për ruajtjen e normës së kohës kur është krijuar fitimi.

Akte nënligjore të publikuara herët, me listën e shportës dhe udhëzimet zbatuese, së bashku me pyetje e përgjigje për biznesin.

Zbatim gradual i masave procedurale, me periudhë udhëzuese në tremujorin e parë.

Kriter të qartë kategorizimi për bizneset e vogla, me mënyrë matjeje të xhiros dhe periudhë përshtatjeje.

Kalendar të parashikueshëm të paketave fiskale, me njoftim e konsultim që përputhen me ciklin e buxhetimit.

Përfundim

Si drejtues financiar, nuk kundërshtoj që sistemi tatimor të ndryshojë. Kundërshtoj që të ndryshojë njëherësh, pa rregullat e plota dhe me një afat që e bën përshtatjen kosto në vetvete. Një sistem matet jo vetëm nga normat, por nga besueshmëria e tij: nëse biznesi nuk mund të planifikojë, pasiguria përfundon te çmimet, te kostot dhe te vendimet e investimit./MONITOR

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion