Pse temperatura e trupit të njeriut ka rënë për 150 vjet

Nga përmirësimi i shëndetit publik te ndryshimet në stilin e jetës, faktorët që mund të shpjegojnë ndryshimin
Në vitet 1860, mjeku gjerman Karl Wunderlich u përpoq t'i përgjigjej një prej pyetjejeve bazë mjekësore: A janë ethet një sëmundje në vetvete apo një simptomë e një gjendjeje shëndetësore? Në një kohë kur termometrat nuk përdoreshin rregullisht , ai kaloi 15 vjet duke matur temperaturat e 25,000 pacientëve, pavarësisht nga mosha apo gjinia, duke mbledhur më shumë se një milion lexime.
Nga këto të dhëna, ai përcaktoi se temperatura mesatare normale e trupit të të rriturve të shëndetshëm ishte 37 gradë Celsius, duke vendosur një pikë referimi që përdoret ende sot. Megjithatë, hulumtimet më të fundit tregojnë se temperatura mesatare e njeriut ka rënë gjatë 150 viteve të fundit. A ishte ky një vlerësim fillestar i pasaktë, apo ndryshimet në stilin modern të jetesës kanë ndikuar në biologjinë njerëzore?
Wunderlich kishte vërtetuar se temperatura e trupit ndryshon në varësi të gjinisë, moshës dhe kohës . Megjithatë, sot, njerëzit kanë një temperaturë mesatare më të ulët krahasuar me homologët e tyre një shekull e gjysmë më parë.
Në një hulumtim të publikuar rreth dhjetë vjet më parë, ekipi i specialistes së sëmundjeve infektive Julie Parsonnet nga Universiteti i Stanfordit analizoi tre grupe të mëdha të dhënash, me gati 190,000 njerëz në SHBA dhe matje të marra nga viti 1862 deri në vitin 2017. Përfundimi ishte se temperatura mesatare normale e të rriturve tani është më afër 36.4 gradë Celsius.
Shenja të ngjashme janë regjistruar në popullatat jashtë vendeve të zhvilluara. Populli Tsimane, një komunitet indigjen gjysmë-nomad që jetonte në Amazonë, kishte një temperaturë mesatare të trupit prej rreth 37 gradë Celsius në fillim të viteve 2000. Megjithatë, deri në vitin 2018, pas dy dekadash ndryshimesh të shpejta socioekonomike, mesatarja kishte rënë në 36.5 gradë Celsius.
Pse ka rënë temperatura mesatare e trupit të njeriut?
Disa faktorë mund të shpjegojnë rënien e temperaturës mesatare të trupit të vërejtur sot. Parsonnet, për shembull, beson se ky ndryshim lidhet me shëndetin më të mirë të përgjithshëm të popullatave. Në kohën e Wunderlich-ut, më tepër se një shekull më parë jetëgjatësia ishte vetëm 38 vjet, ndërsa sot është pothuajse dyfishuar.
“Njerëzit nuk jetonin aq shëndetshëm atëherë sa jetojnë sot. Shumë prej tyre përballeshin me probleme serioze shëndetësore, të tilla si tuberkulozi, kujdesi i dobët dentar, dizenteria, ethet reumatike dhe osteomieliti", shpjegoi Julie Parsonnet
për BBC-në.
“Kur sistemi imunitar përpiqet ta mbrojë trupin nga të gjithë këta faktorë që kërcënojnë jetën, ai konsumon kalori. Dhe kaloritë janë një mënyrë tjetër për prodhimin e nxehtësisë”, shtoi ajo.
Në mënyrë të ngjashme, në rastin e Tsimane-ve, shëndeti i popullsisë është përmirësuar falë vaksinave dhe higjienës më të mirë, vuri në dukje Yaegi. Siç theksoi ai, përdorimi i tualeteve dhe këpucëve tani është shumë më i zakonshëm krahasuar me 20 vjet më parë, duke kufizuar infeksionet e krimbave të zorrëve, të cilat transmetohen, ndër të tjera, përmes kontaktit të këmbëve të zbathura me tokën e kontaminuar.
Në të njëjtën kohë, sot është shumë më e lehtë të kontrollohen temperaturat e brendshme. Të paktën 88% e shtëpive në SHBA kanë ajër të kondicionuar, ndërsa një përqindje e ngjashme e shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar kanë sistem ngrohje.
“Ne e kalojmë pjesën më të madhe të jetës sonë në një klimë ideale, në atë që e quajmë zonë neutrale termike, ku nuk na duhet të bëjmë përpjekje për të ruajtur temperaturën e trupit tonë”, vuri në dukje Parsonnett. “Dhe kur nuk na duhet ta bëjmë këtë përpjekje, nuk konsumojmë energji dhe nuk prodhojmë nxehtësi.”
A kishte bërë ndonjë gabim Wunderlich?
Disa ekspertë besojnë se ulja e temperaturës mesatare të trupit mund të jetë për shkak të një faktori krejtësisht të ndryshëm.
Kur pati mundësinë të shqyrtonte nga afër një nga termometrat prej qelqi të Wunderlich-ut, ai vuri re se shkalla e tij ishte kalibruar rreth dy gradë Celsius më e lartë se ajo e termometrave modernë. Kjo do të thotë që matjet e marra me këto instrumente mund të kenë regjistruar temperatura dy gradë më të larta se ato aktuale.
Matja e temperaturës në atë kohë ishte një proces mjaft i ndërlikuar dhe që kërkonte shumë kohë, shpjegoi Philip Mackowiak , një specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin e Merilendit. Termometrat me zhivë, të krijuar prej qelqi dhe rreth 30 centimetra të gjatë, duhej të kalibroheshin kundrejt pikave të referencës fikse, siç është pika e vlimit të ujit dhe pika e shkrirjes së akullit. Pastaj, pacientët duhej të qëndronin të palëvizshëm për 15 deri në 20 minuta, pasi, siç shpjegon ai, "termometrave u duhej shumë kohë për të regjistruar një temperaturë".
Me fjalë të tjera, vlerësimi i Wunderlich-ut mund të ketë qenë i gabuar që në fillim. Për më tepër, ai e mati temperaturën nga sqetulla, në krahasim me matjen orale që përdoret më shpesh sot, gjë që e bën të vështirë krahasimin e matjeve të vjetra me ato moderne.
Megjithatë, ekspertët nuk mendojnë se kalibrimi i gabuar i termometrave është fajtor për vlerësimin më të lartë të Wunderlich-ut. Kur ajo dhe ekipi i saj kërkimor analizuan të dhënat e temperaturës nga veteranët e ushtrisë të mbledhura nga viti 1862 deri në vitin 1930, ata zbuluan se ata që lindën më herët kishin me të vërtetë temperatura mesatare më të larta se ata që lindën më vonë.
Ekipi i Parsonnett e forcoi më tej përfundimin e tyre duke shqyrtuar dy grupe të dhënash më të fundit, të cilat gjetën një trend të ngjashëm në rënie. Të dhënat përfshinin matje të temperaturës nga viti 1971 deri në vitin 2017, të cilat u morën me termometra që pritej të kishin kalibrim të ngjashëm.
Katër faktorë që ndikojnë në temperaturën normale të trupit
1. Mosha: Të moshuarit kanë një temperaturë më të ulët
Ndërsa plakemi, metabolizmi ynë ngadalësohet dhe trupat tanë bëhen më pak aktivë, që do të thotë se përdorim më pak energji, shpjegon Walid Javed, MD, një specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin e Virxhinias Perëndimore.
2. Gjinia: Gratë kanë një temperaturë më të lartë se burrat
Edhe përtej luhatjeve që lidhen me ciklin menstrual, gratë e moshuara përjetojnë temperatura më të larta të trupit, vëren Parsonnet. Shkencëtarët nuk janë të sigurt pse ndodh kjo. "Ne thjesht kemi një rregullim të ndryshëm fiziologjik", shpjegoi ajo.
3. Ora e ditës: Temperatura bie në orët e para të mëngjesit
“Temperatura ndjek një ritëm cirkadian” (ora e brendshme biologjike e trupit), thotë reumatologu Jonathan Hausman i Spitalit të Fëmijëve të Bostonit dhe Spitalit të Përgjithshëm të Masaçusetsit. Studimi i tij i fundit zbuloi një rënie të temperaturës midis orës 3 të mëngjesit dhe 5 të mëngjesit dhe një kulm midis orës 4 të pasdites dhe 6 të pasdites. Ky ndryshim ka të ngjarë të pasqyrojë aktivitetin në rritje gjatë ditës.
4. Gjatësia dhe pesha: Njëra ul temperaturën, tjetra e rrit atë
Temperatura e trupit ulet me gjatësinë, pasi një sipërfaqe më e madhe e trupit do të thotë më shumë humbje nxehtësie. Anasjelltas, rritja e peshës së trupit çon në një rritje të vogël të temperaturës, vuri në dukje Parsonnet.


