Protestat në Francë, 320 mijë qytetarë në rrugë në mbarë vendin, shpërthejnë tensionet në Paris

Rreth 320 mijë qytetarë kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara në të gjithë Francën, ndërsa në përfundim të demonstratave janë regjistruar tensione dhe përplasje me policinë në disa qytete të vendit.
Në Paris, protesta e tretë e mobilizimit social ishte zhvilluar në mënyrë paqësore deri në orët e fundit, kur grupe personash kanë hedhur fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë dhe kanë dëmtuar stacione autobusësh dhe stola në hapësirat publike.
Forcat e rendit ndërhynë për shpërndarjen e tyre, duke u përballur me grupe të rinjsh të veshur me të zeza në zonën e Porte de Charenton.
Sipas të dhënave të prefekturës, në protestën e zhvilluar në kryeqytetin francez morën pjesë rreth 70 mijë persona, një shifër më e ulët krahasuar me javën e kaluar, kur u regjistruan rreth 110 mijë protestues.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në të gjithë vendin dolën në rrugë rreth 320 mijë qytetarë, kundrejt 410 mijë një javë më parë dhe 550 mijë më 17 tetor.
Tensione u raportuan edhe në Tuluzë, Marsejë dhe Renë. Në Marsejë, ku protesta nuk ishte njoftuar paraprakisht, policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Në marshimin e zhvilluar në Paris mori pjesë edhe lideri politik Jean-Luc Mélenchon, i cili deklaroi se kërkesat e protestuesve janë një e drejtë, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të demonstratave në kushte sigurie.
“Ne do të fitojmë”, shkroi Mélenchon në një mesazh të publikuar gjatë protestës.


