Zgjedhjet e 11 majit/ 55 mijë vota të pavlefshme, më pak se në vitin 2021

Nga numrat tek emrat në fletën e votimit. Ky ndryshim në fletë nga parlamentaret e 2021-shit tek ato të këtij viti ka rezultuar pozitiv. Në këto zgjedhje të 11 majit 2025 ka më pak fletë votimi të pavlefshme.
Duke qenë se këtë vit në fletën e votimit në të njëjtën kolonë me emrin e partisë ishin të listuar emrat e kandidatëve për deputetë sipas qarqeve, dhe nuk ishin vetëm me numra si në 2021-shin, qytetarët duket se e kanë pasur më të lehtë të votojnë saktë.
Deri më tani nga 1,461,258 vota brenda vendit, vetëm 3.7% kanë dalë të pavlefshme. Në total janë 55,463 të shpallura të pavlefshme, për arsye të ndryshme.
Sipas raportimeve një pjesë e votave të pavlefshme ka qenë e qëllimshme, me një X gjithë fletën apo me shkrime të ndryshme, ose e lënë e bardhë. Por ka pasur gabime në votim e njërës parti dhe kandidatin e një partie tjetër, apo votë për dy kandidatë në një kolonë.
Qarqet me numrin më të madh të votave të pavlefshme janë Tirana me 16.753 vota, Elbasani me 5971 vota, Fieri me 5621 dhe Durrësi me 5243 vota të pavlefshme.


