“Zgjedhje të kapura nga organizata kriminale”, Berisha: Çdo orë që kalon nxjerr fakte për farsën elektorale

Kryetari i Partisë Demokratikenë një konferencë për gazetarët shprehet se çdo orë që kalon nxjerr fakte e dokumente të reja që vërtetojnë atë që ai e quan “farsë elektorale”.
Berisha u shpreh se në këtë kuadër PD dhe opozita po përgatit luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve.
“Çdo orë që kalon, nxjerr fakte, dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga Toto Rina i Tiranës, Edi Rama. Por unë jam këtu para së gjithash, për të shprehur vlerësimin tim, për të gjithë ata komisionerë dhe numërues, vëzhgues të opozitës që në kushtet e një presioni të gjithëanshëm, në kufijtë e një terrorizmi shtetëror, por kryejnë detyrën e tyre dhe i ftoj ata ta kryejnë gjer në fund. Kjo është rruga më e mire për të mbrojtur votën e shqiptarëve, në kuptimin që ne jemi të detyruar, ligjërisht dhe me kushtetutë, të mbrojmë çdo votë të hedhur nga qytetarët shqiptarë.
Por kjo është rruga gjithashtu për të faktuar para shqiptarëve dhe botës, farsën e paprecedentë që po kundërmon në të 4-anët, farsën elektorale që organizoi narkoregjimi i Tiranës me datën 11 maj të vitit 2025. Në këtë kuadër, Partia Demokratike dhe opozita po përgatit luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve”, shprehet Berisha.
Ndër të tjera Berisha ka vlerësuar raportet paraprake, teksa shton se këto raporte i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet, të cilat sipas tij kanë qenë të kapura nga organizata kriminale.
“Shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake, të cilat defakto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet. Por natyrisht jo vetëm në këtë parim, ka patur probleme të tjera po kaq të rënda, edhe më të rënda. Zgjedhje të kapura nga organizata kriminale më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit, të cilat disponojnë në kontot e tyre të nëndheshme, miliarda euro dhe që luftojnë këto zgjedhje për lëkurën e tyre, sepse siç e dini, i kisha garantuar dhe vazhdoj ti garantoj se ato me PD në pushtet, do të shpallen organizata terroriste, ç’ka do të thotë ligji do të jetë i tmerrshëm për to. Mos të kenë iluzion sepse ato janë bërë pengmarrës të demokracisë së një shteti dhe një kombi, me Edi Ramën. Në këtë kuadër dënoj me forcën më të madhe terrorin policesk, ndaj numëruesve dhe komisionerëve tanë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina. E gjithë ngjarja është një kurth policesk i organizuar kundër tij. Ai mbahet në burg vetëm si qëndrestar dhe mbrojtës i votës”, tha Berisha.
Berisha thekson se dënon terrorin ndaj numëruesve, për të cilat shprehet se ka fakte për dhunim masiv të zgjedhjeve.
“Dënoj akte të tjera të falangave të krimit që kanë terrorizuar demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve. Pra, ftoj demokratët dhe demokratet e mbarë opozitarët të vazhdojmë këtë mision, si misioni i të gjitha misioneve të një opozite, mbrojtjen, rikthimin e votës së lirë.
Asgjë në botë, asnjë fuqi politike nuk do mund të fshehë të vërtetat e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narkoregjimi i Tiranës. Ata të cilët injorojnë se këto zgjedhje u grabitën, u plaçkitën në mënyrat më kriminale dhe antidemokratike, do të zhgënjehen më vonë, kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Europës dhe botës, shëmtinë e kësaj farse elektorale”, shprehet Berisha


