Përjashtimi i medias, BE kundër Kuvendit shqiptar: Keqardhje që nuk pati konsultime

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas riorganizimit të gazetarëve në aktivitetin e Kuvendit të Shqipërisë. Në një postim në Twitter, BE në Shqipëri shprehet se dëgjesat publike dhe aksesi i mediave në parlament është tipar i rëndësishëm i një demokracie liberale.
Po ashtu, në reagimin e BE thuhet se është për të ardhur keq që nuk pati konsultime me mediat përpara adaptimit të rregullave të reja nga ana e Parlamentit.
“Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisur në këtë kontekst në vitin 2014.”
Kujtojmë se më herët ka reaguar për rastin edhe Kuvendi i Shqipërisë, duke sqaruar se vendimi është marrë me qëllimin për të ndërtuar një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare.
Po ashtu, Kuvendi sqaroi se regjistrimet që do të ofrohen në dhomën ku do të qëndrojë media nuk do të kontrollohen nga një regji qendrore, por nga vetë gazetarët.


