Numërohen shumica e votave në Elbasan e Fier, ngec në Durrës, sa mandate morën PS, PD dhe LSI

Vijon numërimi i votave në tre qarqet kryesore të vendit Durrës, Elbasan dhe Fier, ku ka pasur pak lëvizje mandatesh. PD i ka marrë një mandat PS-së në qarkun e Elbasanit, duke e ngushtuar epërsinë e socialistëve nga 9-5 në 8-6.

Në Durrës duket se procesi i numërimit ka ngecur në vendnumëro, ku në total janë numëruar 183 qendra votimi nga 481 në total. PS ka deri më tani 8 mandate ndërsa PD ka 6 mandate.
Në total socialistët kanë marrë 28888 vota, PD ka grumbulluar 22230 vota dhe LSI 3492.

Në Elbasan janë numëruar deri më tani 440 qendra votimi nga 511 në total, dhe duket se procesi ka ecur me ritëm të shpejtë. PS ka humbur orët e fundit një mandat duke rënë në 8, ndërsa PD është ngjitur në 6 mandate.
Në total PS numëron 73953 vota, e ndjekur nga PD me 49594 dhe LSI me 6394 vota. Me ritëm të lartë ka ecur numërimi edhe në Fier, ku janë numëruar 485 qendra votimi nga 580 në total në këtë qark.

PS vazhdon të ruajë epërsinë me 9 mandate në Fier, ndërsa PD ka marrë 6 mandate dhe LSI vetëm 1.


