“Me shkarkoni, të bie dhe unë rehat”, Anuela Ristani përplaset me këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës

Përplasjet në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës nxorën në pah tensionet në rritje brenda mazhorancës që drejton kryeqytetin. Kryetarja e komanduar e Bashkia e Tiranës, Anuela Ristani, u përball me kritika të forta nga këshilltarët lidhur me situatën e pastrimit në qytet dhe menaxhimin e mbetjeve, ndërsa debatet degraduan në replika të ashpra dhe tone ironike.
Gjatë diskutimeve, këshilltari Krenar Canollari kërkoi llogari mbi rolin e bashkisë si aksionere kryesore e Eco Tirana, duke ngritur pikëpyetje mbi masat e marra për situatën e krijuar në qytet. Ai kërkoi shpjegime edhe për përgjegjësinë e drejtuesve të sektorit të pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve.
“Çfarë masash keni marrë konkretisht për këtë situatë dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet Tirana sot?”, ishte pyetja që ndezi debatin në sallë.
Në kulmin e tensionit, Anuela Ristani reagoi me tone të forta ndaj kritikave, duke deklaruar: “Më shkarkoni, të bie dhe unë rehat”, fjali që shkaktoi reagime të menjëhershme nga këshilltarët e pranishëm.
Përplasjet vijuan edhe me këshilltarin Halit Valteri, i cili kërkoi më shumë transparencë për mënyrën se si po administrohet qyteti dhe problematikat që lidhen me pastrimin.
Debati më pas mori tone ironike, ku drejtuesja e komanduar e bashkisë kundërshtoi akuzat dhe në disa momente reagoi me të qeshura, duke shtuar më tej tensionin mes palëve.
Anuela Ristani mori drejtimin e Bashkia e Tiranës një ditë pas arrestimit të Erion Veliaj më 10 shkurt, ndërsa ky i fundit vijon të ndodhet në paraburgim në kuadër të një hetimi nga SPAK. Situata e fundit duket se ka shtuar presionin politik dhe administrativ mbi drejtimin aktual të bashkisë.


