"Ku i gjete kaq shumë socialistë në Kamzë?", Rama nuk ia përton ish-futbollistit: Prit 26 prillin...

Skerdi Bejzade, ish-sulmuesi shkodran që ka luajtur me shumë klube të njohura në Superiore, kohët e fundit është shumë aktiv në rrjetet sociale. Nga Gjermania ku jeton nuk e harron as Kamzën, skuadër me të cilën ka luajtur vitet e fundit të karrierës.
Sot, kur fusha e stadiumit të Kamzës ishte mbushur plot e përplot në një manifestim politik ku ishte pjesëmarrës edhe kryeministri Edi Rama, “Arusha” Bejzade nuk ka ngurruar edhe të komentojë.
“Ku i paske gjet kaq shumë socialistë në Kamzëz? Çohu Dak (i referohet ish-presidentit të Kamzës, Naim Qarrit) e nxirri nga stadiumi, se na e prishën fushën”, shkruan Bejzade, ndërkohë që replikon edhe ish-shoku i skuadrës Ardit Beqiri.
Komenti i Bejzades nuk i ka shpëtuar as kryeministri Rama, i cili i përgjigjet shkodranit: “Do numërosh shumë më shumë në 26 prill, bëj pak durim. Kurse për fushën mos ki merak se kujdeset Rakip Suli, siç kujdeset për krejt punët e Kamzës”.
Ish-futbollisti, i cili tani ka nisur karrierën si trajner në Gjermani, i kthehet sërish kryeministrit me këtë koment: “Edi Rama, nona je. Kur isha trajner e ngrita me Xhelal Mziun ekipin në Superligë. Erdhi Rakipi na zbriti në lig 3, kurse nga papunësia edhe mundësitë që na mundësove ti me PS-në morëm rrugët nëpër botë, si shumë të tjerë”.


