GJK zbardh vendimin: Zgjatja e “arrestit shtëpiak” për Sali Berishën, masë antikushtetuese

Politikë

GJK zbardh vendimin: Zgjatja e “arrestit shtëpiak” për

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se zgjatja e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, është në kundërshtim me Kushtetutën.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga Berisha kundër tejzgjatjes së masës kufizuese. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se, edhe pse kishin kaluar shtatë muaj nga vendosja e arrestit në shtëpi, gjykatat e zakonshme nuk kishin dhënë argumente konkrete për ekzistencën e rrezikut të ikjes. Po ashtu, sipas Kushtetueses, nuk ishte paraqitur asnjë rrethanë e re që të justifikonte ashpërsimin e masës së sigurisë.

Fillimisht, rreziku për cenimin e provave ishte konsideruar i përmbushur me masën më të lehtë “detyrim paraqitjeje”. Megjithatë, më pas u vendos një masë më e rëndë, ajo e “arrestit në shtëpi”, pa u evidentuar ndryshime në sjelljen e kërkuesit apo rrethana të reja që ta justifikonin këtë vendim.

Në vendimin e saj, Gjykata vëren se mungesa e arsyetimit për rrezikun e ikjes dhe fakti që nevoja për sigurimin e provave ishte konsideruar më parë e përmbushur me një masë më të lehtë, e bëjnë të pajustifikuar rëndimin e masës së sigurisë. Sipas saj, kjo situatë nuk garantonte një ekuilibër të drejtë mes nevojës për sigurimin e procesit penal dhe të drejtës për liri personale.

Kushtetuesja thekson se masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale dhe të arsyetuara në çdo fazë të procedimit penal. Për rrjedhojë, ajo vlerësoi se periudha e qëndrimit të Berishës nën “arrest shtëpie” nuk ishte në përputhje me qëllimin e vendosjes së masës dhe nuk lidhej më me mbarëvajtjen e procesit penal, por vetëm me mosrespektimin e një urdhërimi të mëparshëm gjyqësor.

Berisha e kishte ankimuar masën e sigurisë më 17 dhjetor 2025, masë e caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”. Mbrojtja e tij pretendoi shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e kësaj gjykate.

Ish-kryeministri u lirua në nëntor 2024, pas rreth 11 muajsh në arrest shtëpie, gjatë së cilës periudhë zhvilloi një betejë të vazhdueshme ligjore përmes ankimimeve të njëpasnjëshme.

Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, të cilën ai ka vijuar ta zbatojë deri më sot./Ballkan

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion