Erion Veliaj merret në pyetje nga prokurorët e SPAK! Çfarë ndodhi me kryebashkiakun e Tiranës

Kryebashkiaku Erion Veliaj është marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK paraditen e sotme.
Veliaj ka dalë përkohësisht nga paraburgimi i Durrësit dhe është dërguar në Prokurorinë e Posaçme ku mësohet se ka dhënë shpjegime për hetimet ndaj tij.
Seanca e marrjes në pyetje e kryebashkiakut Veliaj, në cilësinë e personit nën hetim, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Marrja në pyetje e Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej 10 Shkurtit, është bërë në prani të avokatëve të tij Ermir Beta dhe Artur Selmani.
Shkarkimi i kryetares së komanduar
Erion Veliaj, me një shkresë të firmosur më datën 18 Mars, ka shkarkuar Anuela Ristanin nga funksioni i kryetares në detyrë të Bashkisë Tiranë.
Erion Veliaj, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, ia ka deleguar këtë detyrë nënkryetares Sara Goxhaj.
“URDHËROJ: Znj. Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shkruhet në dokument.
“Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë”, shprehet Veliaj.
Postin e kryebashkiakut në detyrë të Tiranës e mbante nënkryetarja Anuela Ristani, të cilës Erion Veliaj i delegoi firmën pas arrestimit të tij më 10 Shkurt.
Vendimi u mor në prani të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Këshillit Bashkiak, pasditen e 11 shkurtit.


