"Donin të më dëmtonin imazhin", Fatmir Xhafaj tregon prapaskenat: Ja marrëdhënia që kam me Ramën dhe Veliajn

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë pas certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit ku ai u rendit si më i votuari në qarkun e Tiranës dhe si i dyti më i votuari në rang kombëtar.
I renditur i 23 si kandidat në listën e qarkut të Tiranës, Xhafaj rrëfen në një intervistë për gazetën Tema, dinamikat e fushatës së tij elektorale qysh nga shpallja e listës e deri tek shpallja e rezultatit.
Ish ministri i Brendshëm, teksa përcjell një mesazh për bashkëpuntorët, kritikët por edhe kundërshtarët e tij politik flet edhe për raportet me kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë se do të gjejë rastin për ta falënderuar.
“Një marrëdhënie normale, pune dhe bashkëpunimi për sfidat e përbashkëta. Unë kam marrë një mandat si përfaqësues i PS dhe jam pjesë e grupit të saj parlamentar kurse Edi Rama është kryetari i PS dhe ka marrë besimin e zgjedhësve për një mandat të ri qeverisës si Kryeministër i vendit. Jemi pjesë e së njëjtës familje politike dhe shërbejmë për të njëjtin program politik.
Besoj fort se ai do ta vlerësojë drejt peshën dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme që jep ky besim i ri për mandatin e tretë qeverisës. Fjalimi i tij para grupit parlamentar e shprehte këtë gjë. Në vlerësimin tim, Edi Rama ka përpara sfida të forta personale me këtë mandat që mendoj se do të lerë gjurmë përcaktuese në fatin e tij politik, por para së gjithash tek PS për dekadat e ardhshme. E ardhmja u takon atyre që përgatiten për të sot.
Kjo kërkon parasëgjithash një sjellje modeste me pushtetin që zotëron dhe përunjësi reale para qytetarëve. Gjithashtu kërkon forcë reflektimi dhe përgjegjësie për të ndërtuar ekipe politike qeverisëse sa më të afta në të gjitha nivelet, me individë përfaqësues, kryesorja të pakorruptuar e me integritet individual si kusht për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme që ngjall shpresë e besim te qytetarët për të ardhmen e tyre”, ka thene nder te tjera Xhafaj.
I pyetur për ndikimin e Erion Veliajt ne zgjedhjen e tij si deputet, Xhafaj tha: “E konsideroj qesharake të komentoj thashetheme kafenesh ose zyrave për llogje apo “opinionistë” mediatikë që frymëzim kanë përpjekjen për dështimin e tjetrit dhe kënaqësinë kryesore të jetës së tyre kanë helmin ndaj kujtdo që bën diçka të mirë. Gjithsesi, për të sqaruar cilindo që mund të ketë rënë pre e këtyre spekulimeve, theksoj se pozicionin tim lidhur me zotin Veliaj e kam bërë të qartë në prononcimet e mia mediatike gjatë fushatës. E vlerësoj shumë përkushtimin e tij dhe ekipit që e mbështeste për përgjegjësinë e shfaqur. Ishin faktori kyç për rezultatin e arritur në nivel qarku i cili në vlerësimin tim duhet konsideruar pozitiv, duke pasur në konsideratë përbërjen e ekipit të kandidatëve, shtrirjen e gjerë të territorit, larminë sociale të votuesve, fokusin e kundërshtarit në territor etj. Në vlerësimin tim ka qenë një ndër fushatat e organizuara dhe koordinuara më mirë për sa vite kam unë deputet në Tiranë”.


