‘Debatet rreth projektit turistik në zonën e Zvernecit’/ Samiti i ardhshëm i NATO-s në Shqipëri, ja çfarë thotë Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për mediat turke, foli për rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet Shqipëri–Turqi, zhvillimet në Ballkan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe sektorin e turizmit.
Duke komentuar Samitin e NATO-s, Rama tha se takimi konfirmoi vendosmërinë e vendeve evropiane të aleancës për të forcuar kapacitetet ushtarake dhe për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.
“Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve”, u shpreh ai.
Kryeministri vlerësoi edhe organizimin e samitit, duke theksuar se mikpritja dhe profesionalizmi i treguar nga Turqia lanë përshtypje pozitive tek të gjithë pjesëmarrësit.
Sa i përket marrëdhënieve me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e cilësoi atë një mik të ngushtë dhe partner strategjik të Shqipërisë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i afërt dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik”, deklaroi kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, Erdogan është i angazhuar për stabilitetin në Ballkan dhe luan një rol të rëndësishëm në nismat që synojnë paqen në rajon.
Në intervistë, Rama foli edhe për debatet rreth projektit turistik në zonën e Zvernecit, duke theksuar se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar.
Ai tha se kritikat mjedisore janë të mirëpritura, por vendimmarrja do të mbështetet në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.


