Gjobë fermerëve që gënjejnë! Penalizim deri në 1 milion lekë për këdo që gënjen ose refuzon të plotësojë censin
Çdo fermer që refuzon apo mashtron për të dhënë të dhënat e sakta të tokës dhe numrit të gjësë së gjallë përfaqësuesve të INSTAT-it do të marrë gjobë deri në 1 milion lekë. Ky nen i projektligjit “Censi i Bujqësisë” solli jo pak debate në komisionin përgjegjës.
Xhelal Mziu, deputet i PD: “Përse aplikohet gjoba 30-100 mijë lekë të reja? Është disproporcionale me të ardhurat e fermerëve? Gjoba ka qenë gjithmonë problem. Gjoba është aplikuar që në vitin 2018, kur është miratuar ligji për statistikat zyrtare. U kërkua një nivel i lartë gjobe nga EUROSTAT-i. Nuk është aplikuar sepse të dhënat merren gjithmonë në konfidencë”. Një tjetër ekzagjerim i deputetit Xhelal Mziu është edhe prania e policisë në dyert e njerëzve të tokës.
Xhelal Mziu: “Përse duhet policia? Ato vihen në lëvizje vetëm nga kërkesa e INSTAT-it në rastet sporadike”.
Censi i Bujqësisë duhet të ishte realizuar 4 vite më parë, pasi regjistri i fermave bëhet një herë në dekadë. Kjo vonesë, sipas Mziut, është e pajustifikueshme, kur mësoi kohën që i duhet censusit për të mbledhur të dhënat.
Xhelal Mziu: “Sa do të zgjasë, sepse sa herë bëjmë CENS-in na duhet një ose dy vite? 6 javë, vetëm gjashtë javë”.
Pyetjet e anëtarëve të opozitës u përsëritën disa herë gjatë komisionit, i cili zgjati 1 orë e 47 minuta, gjë e cila shkaktoi edhe nervozizëm, çka solli përgjigje të prera.
Xhelal Mziu: “Ky census a do të ecë paralel me këto reformat në subvencione, në vaditje, kullim? Po, më shkurt se kaq nuk të jap dot përgjigje”.
Pas toneve të larta, në fund ranë të gjithë dakord se ky census është i domosdoshëm për bujqësinë shqiptare./ Top Channel