‘Berisha zhbëri primaret’/ Haklaj: ‘Euroatlantikët e Bashës’ janë të vetmit që mbështesin SPAK

Azgan Haklaj, kandidati i Koalicionit Euroatlantik për Qarkun e Tiranës, ka reaguar ashpër në lidhje me zhvillimet pas publikimit të listave të kandidatëve dhe ka sulmuar Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën.
Ai akuzon Berishën për shkelje të premtimeve ndaj demokratëve, duke thënë se ai ka zhbërë procesin e primareve dhe ka përzgjedhur në lista "besnikët" e tij.
"S'ka gjë më të keqe se të tallesh me demokratët. Kur nisi me foltoren, tha se kandidatët do të zgjidhen nga ata vetë, por më pas e ndryshoi mendjen. Kush ka bërë marrëveshje me Edi Ramën? Sali Berisha," - tha Haklaj.
Ai gjithashtu ka komentuar qëndrimin e Lulzim Bashës dhe mbështetjen e SHBA-së për SPAK. Haklaj theksoi se Basha ishte i pari që deklaroi se SHBA e kishte rikthyer mbështetjen për SPAK dhe se ky ishte një zhvillim pozitiv për reformën në drejtësi.
"Së pari ata thanë se SHBA kishte hequr mbështetjen për SPAK, por Basha e hodhi poshtë këtë dhe tha se do ta rikthenin mbështetjen. Pas disa ditësh, Ndihmës Sekretarja e Shtetit pati një takim me Rudina Dumën dhe së shpejti do të vijë ambasadori," - shtoi ai.
Në vazhdim, Haklaj theksoi se partia që ai përfaqëson është e vetmja që ka një program të qartë ekonomik dhe mbështet vetingun e politikanëve dhe kërkon lista të hapura, çështje që sipas tij, është shmangur nga Berisha dhe Rama.
"Ne jemi e vetmja parti që ka një program ekonomik dhe mbështet vetingun për politikanët. Përse ata tremben nga lista e hapura? Pse kanë rikthyer marrëveshjen e 2008-ës? Ata nuk duan të bëjnë ndryshime të vërteta," - tha ai.
Haklaj nuk ngurroi të kritikon edhe qëndrimet e Berishës dhe Ramës në lidhje me çështjen çame, duke i akuzuar ata për servilizëm ndaj Greqisë.
"Berisha dhe Rama po i shërbejnë Greqisë. Rama ka përpjekur të asgjësojë çamët, ndërsa Berisha nxori Idrizin në një listë të hapur, një veprim që tregon servilizëm ndaj Greqisë," - përfundoi Haklaj.


