Grabitja e argjendarisë në Kamëz, policia jep detajet: Në kërkim dy autorët

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në zonën e Paskuqanit, ku është shënuar një grabitje me armë brenda një argjendarie.
Sipas informacioneve paraprake, dy persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar një argjendari. Autorët kanë vepruar nën kërcënimin e armës së zjarrit.
Pas marrjes së sendeve me vlerë, dy autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përdorur një motor.
Kamëz / Informacion paraprak
Më datë 05.08.2026, rreth orës 14:50, në Paskuqan, dy shtetas ende të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e një argjendarie në pronësi të shtetasit L. L. dhe, duke kanosur punonjëset me një send në dukje armë zjarri, kanë marrë një sasi bizhuterish.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorëve.
Grupi hetimor po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe në dokumentimin e plotë të rastit.


